Botë

Hoteli i Trumpit ka humbur 70 milionë dollarë gjatë mandatit të tij si president

Ish -Presidenti amerikan Donald Trump "e ka ekzagjeruar rëndë" përfitimin e hotelit të tij në Uashington DC, ka gjetur një hetim nga një komitet i Kongresit.

Gjithashtu hetimi thotë se Trumpi ka fshehur "konfliktet e mundshme të interesit".

Hoteli Trump International ka humbur mbi 70 milion dollarë gjatë mandatit të tij, edhe pse Trump më parë kishte pretenduar se fitoi të paktën 150 milion dollarë gjatë asaj kohe.

Organizata Trump ka mohuar keqbërjen dhe e ka quajtur raportin "mashtrues".

Në një deklaratë, Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe Reformën ka thënë se dokumentet e siguruara nga Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) - e cila mbikëqyr shpenzimet federale - treguan se Trump kishte "ekzagjeruar rëndë shëndetin financiar" të hotelit.

Humbjet e detyruan kompaninë mbajtëse të Trump të injektojë të paktën 24 milion dollarë për të ndihmuar hotelin në vështirësi, i vendosur vetëm disa blloqe nga Shtëpia e Bardhë, ka bërë të ditur komiteti.

Raporti gjithashtu ka zbuluar se Trumpi duket se kishte "fshehur konfliktet e mundshme të interesit" në lidhje me pronësinë e tij mbi hotelin dhe rolet e tij si huadhënës të tij dhe garantues të huave të palëve të treta.