Botë

Në shitje: Armët e siguruara nga SHBA-ja përfundojnë në dyqanet afgane

Descriptive Text

Talebanët morën armët dhe automjetet ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga ushtarët e dorëzuar afganë. Tani, tregtarët e armëve po bëjnë biznes fitimprurës

Në kaosin e tërheqjes së ushtrisë amerikane dhe kthimit të talebanëve në pushtet gjatë verës, me mijëra armë amerikane dhe me tonelata pajisje ushtarake u morën nën kontroll nga militantët në kohën kur bazat qeveritare po dorëzoheshin ose po u merrej komanda pa luftë.

Tani me talebanët në pushtet, armët amerikane dhe pajisjet tjera ushtarake me të madhe po shiten nëpër dyqanet e tregtarëve afganë që paguan ushtarët qeveritarë dhe talebanët për armët, municionin dhe pajisje tjera, thonë tregtarët e armëve në provincën e Kandaharit në jug të Afganistanit.

Në intervista për gazetën amerikane New York Times, tre tregtarë armësh në Kandahar kanë thënë se dhjetëra afganë kanë hapur dyqane në jug, duke shitur revole, automatikë, granata dhe dylbi amerikanë. Pajisjet u ishin dhënë forcave të sigurisë afgane, si pjesë e programit amerikan për stërvitje dhe asistencë që u kushtoi taksapaguesve amerikanë 83 miliardë dollarë në dy dekadat e luftës.

Teksa po merrnin kontrollin, talebanët me çdo kusht donin armët dhe pajisjet amerikane. Mirëpo, tani krejt ky armatim po shitet te tregtarët afganë, sepse ka rënë ndjeshëm kërkesa për armatim në mesin e talebanëve, thonë tregtarët e armëve. Shumë të tjerë thonë se tregtarët i kanë kontrabanduar armët në Pakistan. Në shtetin fqinj kërkesa për armë amerikane është fort e madhe, shkruan gazeta njujorkeze.

Humbja e miliona dollarëve në armët amerikane është një tjetër pasojë e dështimit të misionit 20-vjeçar në Afganistan. Përfundoi në kaos të madh kur talebanët morën kontrollin e Kabulit më 15 shtator, kur pa luftë mposhtën ushtrinë afgane të stërvitur dhe sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Furnizimi me armatim

NYT raporton se ndër vite SHBA-ja ka furnizuar ushtrinë afgane me armatim dhe automjete, përfshirë karabinat e njohura M4, raketa, aeroplanë të lehtë A-29, Humveet dhe një sasi të madhe municioni për pushkët automatike, thuhet në një raport të Kryeinspektorit të veçantë për Rindërtimin e Afganistanit. Për dy vjetët e fundit fiskalë që mbaruan në muajin qershor, shuma e shpenzuar në ushtrinë afgane arriti në 2.6 miliardë dollarë.

Pentagoni të hënën konfirmoi se një numër i madh i armatimit ka mbetur në Afganistan.

“Prej vitit 2005, ushtria amerikane ka ofruar për forcat afgane mijëra armë të shkurta, prej revoleve e deri tek automatikët e mesëm”, thotë majori Rob Lodweick, zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes, duke folur për New York Timesin.

Pas shembjes së qeverisë afgane në muajin gusht, majori Lodewick thotë se ushtria “është në dijeni se një numër i madh i këtyre armëve tani janë në duart e talebanëve”.

Në dëshminë e tij para kongresit gjatë javës së kaluar, Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin, ka thënë se armët më të sofistikuara që i përdori ushtria amerikane në Afganistan janë larguar së bashku me numrin e fundit të ushtarëve në fund të gushtit. Armatimi i avancuar që ishte ofruar për forcat afgane, siç janë helikopterët dhe aeroplanët, janë çaktivizuar para largimit të amerikanëve, thonë zyrtarët e Pentagonit.

Mirëpo, talebanët mohuan se këto armë janë duke u shitur.

Në një intervistë për gazetën, zëdhënësi i talebanëve, Bilal Karimi, thotë se armët nuk janë në shitje. “Kategorikisht e mohoj këtë; luftëtarët tanë nuk mund të tregohen kaq të pakujdesshëm”, thotë ai. “Asnjëri nuk guxon të shesë të vetmin plumb në treg apo ta kontrabandojë”.

Shton se armatimi amerikan i kapur gjatë luftës “është listuar, verifikuar dhe ruajtur nën emrin e Emiratit Islamik për ushtrinë e ardhme”. (Talebanët i referohen qeverisjes së tyre si Emirati Islamik i Afganistanit).

Biznesi po lulëzon

Ndërkaq, figura tjera talebane kanë konfirmuar se një numër i madh i armatimit amerikan tashmë gjendet në treg.

Gjatë verës, armatimi amerikan ose është vjedhur dhe shitur nga ushtria afgane, ose është kapur nga talebanët teksa kanë negociuar dorëzimin gjatë të cilit ushtarët dhe policët kanë dorëzuar armatimin në këmbim të premtimeve të talebanëve për t’ua kursyer jetën. Herëve tjera, uniformat, armët dhe pajisjet ushtarake u braktisën nga ushtarët dhe policët e dezertuar.

Disa ushtarë dhe policë shitën armët dhe municionin e tyre para se të negocionin dorëzimin, shkruan New York Times.

Tregtarët e armëve kanë paguar deri në 1 mijë e 200 dollarë për beretën amerikane M9, thonë tregtarët – shumë dukshëm më e madhe sesa paga mujore e një ushtari afgan. Armët besohet se janë shitur në kohën kur shumë policë dhe ushtarë nuk po paguheshin rregullisht.

Karabina amerikane M4 është shitur për 4 mijë dollarë, thonë tregtarët, sidomos nëse ato ishin të pajisura me laser ose me granatahedhës. Në kontrast, kallashnikovi është shitur për 900 dollarë, thonë tregtarët. Ndërkaq, lansuesi rus i raketave është shitur për 1 mijë e 100 dollarë. Revolet, me të cilat NATO-ja furnizoi policinë afgane, janë shitur nga 350 dollarë. Gati të gjitha transaksionet bankare janë bërë me rupit pakistanezë ose me para në dorë, thonë tregtarët e intervistuar nga gazeta.

Dyqanet në Kandahar

Tregtari i armëve me emrin Esmatullah, thotë se hapi dyqanin në Kandahar para tetë muajsh, pak ditë pasi talebanët morën kontrollin e zonës. Para dyqanit, ai endej nëpër bazat ushtarake për të blerë armë dhe municion nga ushtarët që me çdo kusht donin para dhe që ishin lodhur me Qeverinë në Kabul që, sipas tyre, i kishte braktisur.

“Punonim si ekip lëvizës”, thotë ai. “Takoheshim me mijëra ushtarë qeveritarë dhe u blinim armët. Pas kësaj i merrnim armët dhe ua shisnim talebanëve ose kujtdo që na ofronte një çmim të mirë”.

Talebanët kishin planin e tyre. Lejuan luftëtarët që t’i shisnin armët e vogla, të cilat i siguronin nëpër bazat afgane, thonë tregtarët. Pjesa tjetër e armatimit më të rëndë është konfiskuar dhe dorëzuar te komandantët talebanë. Ushtarët e këtyre komandantëve kishin në duar M4 amerikanë dhe ngisnin Humveet amerikanë kur bënin kontrolle nëpër Afganistan.

Sot, tregtarët thonë se myshterinjtë më të rregullt janë përkthyes afganë dhe njerëz të zakonshëm. Këta afganë kanë blerë armët, qoftë për t’i rishitur në Pakistan, për vetëmbrojtje ose për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve personale ose fisnore.

“Armët amerikane po lypen me të madhe, funksionojnë mirë dhe njerëzit dinë si t’i përdorin”, thotë tregtari i dytë në Kandahar, i cili ka folur për gazetën në kushte anonimiteti për shkak se ka frikë që talebanët do t’ia mbyllin dyqanin.

Ai thotë se ka shitur disa revole, automatikë dhe municion amerikanë qëkur hapi dyqanin para tre muajsh.

Tregtari i tretë në Kandahar, i cili ka kërkuar që të mos identifikohet sepse talebanët ia kanë tërhequr vërejtjen që të mos flasë për mediat, thotë se dilerët kanë shitur edhe kundërajror. Tani, thotë se shet karabina M4 të SHBA-së dhe armë të kalibrit 50. Posedon armatim të shteteve tjera, përfshirë kallashnikovët dhe granatahedhësit.

“Zgjedhja e parë janë armët amerikane, ani pse janë pak më të shtrenjta se ato ruse”, thotë ai. “Armët e lehta si revolet kërkohen fort, sepse janë më të lehta për t’u bartur dhe transportuar”.

Mulla Basir Akhund, ish-komandant taleban që jeton në Kandahar, thotë se ndihmoi grupin të negocionte dorëzimin e forcave të sigurisë në provincë. Talebanët shpesh angazhonin më të moçmit e fshatit ose më të besueshmit që të negocionin dorëzimin. Rënia e bazave të qeverisë ka lënë zonën me grumbull të madh të armëve amerikane, thotë Akhund për NYT.

“Ka shumë dyqane dhe trafikantë armësh që bredhin në Kandahar këto ditë”, thotë ai. “Këta njerëz gjithmonë kanë kërkuar armë për të blerë, sidomos në periudhën e tranzicionit kur armët janë më lehtë për t’u blerë”.

Së fundmi ka prezantuar një tregtar armësh nga Pakistani. Është në kërkim të revoleve, automatikëve, dylbive të natës, municionit amerikan.

Akhund thotë se tregtari pakistanez shet automjete në një sallon në Pakistan. Mirëpo, biznesi më fitimprurës i këtij burri, thotë ai, sillet rreth shitjes së armëve amerikane të blera në Afganistan.

Përgatiti: Gent Mehmeti