Botë

Rrëmbimi i një fëmije francez që e shpërfaq shtrirjen globale të QAnonit

Lola Montemaggi e kishte humbur kujdestarinë mbi vajzën e saj Mia kundruall nënës së vet, pasi që shërbimet qeveritare franceze për përkujdesjen e fëmijëve druanin se gruaja nuk ishte e qëndrueshme psikikisht. Kësisoj, Montemaggi gjeti njerëz online që ndanin besimin QAnon se vetë nëpunësit qeveritarë po e drejtonin një rrjet të trafikimit të fëmijëve. Mandej iu kthye rrjetit të saj për të bërë atë që duhej të bënte: ta rrëmbente Mian

Fabrika e vjetër e kutive muzikore, boja e fasadës së vjetruar e cila ishte përtharë kaherë, qe e braktisur për vite të tëra në periferi të qytetit malor zviceran.

Ishte vend i përkryer i fshehjes për një nënë të re franceze dhe të bijës së saj 8-vjeçare në epiqendër të operacionit Lima, komplot ky ndërkombëtar i rrëmbimit të fëmijëve i planifikuar dhe i financuar nga një grup francez i ngjashëm me lëvizjen e së djathtës ekstreme QAnon.

Lola Montemaggi e kishte humbur kujdestarinë mbi vajzën e saj Mia kundruall nënës së vet, pasi që shërbimet qeveritare franceze për përkujdesjen e fëmijëve druanin se gruaja nuk ishte e qëndrueshme psikikisht.

Nën rrethana të këtilla, Montemaggi gjeti njerëz online që ndanin besimin QAnon se nëpunësit qeveritarë vetë po e drejtonin një rrjet të trafikimit të fëmijëve. Mandej iu kthye rrjetit të saj për të bërë atë që duhej të bënte: ta rrëmbente Mian.

Forcimi i bindjeve

Rrëmbimi më 13 prill i vajzës nga shtëpia e gjyshes e shënoi atë që besohet të jetë hera e parë që personat që u besojnë teorive të konspiracionit në Evropë kanë kryer një krim të ndërlidhur me rrjetin e stilit QAnon të besimeve të rreme, të cilat edhe i nxitën me qindra veta të bastisin Capitolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 6 janar. Rasti tregon se si ajo që dikur ishte një lëvizje strikt amerikane ka metastazuar përreth botës, duke e nxitur Europolin, agjencinë policore evropiane, ta përfshijë QAnonin në listën e saj të kërcënimeve gjatë qershorit. Ndikimi i QAnonit tani është gjurmuar në 85 shtete dhe besimet e tij janë adoptuar në kontekste lokale dhe në gjuhët nga hindishtja deri në hebraishte.

Një baba nga California gjatë kësaj vere i ka dërguar dy fëmijët e tij në Meksikë dhe i ka vrarë nën ndikimin e “QAnonit dhe teorive konspirative Illuminati”, kanë bërë të ditur autoritetet federale. Mbështetësit e QAnonit janë ndërlidhur gjithashtu me të paktën gjashtë tentim rrëmbime në SHBA, të bindur se fëmijët po bëhen viktima të pedofilisë, ka theksuar Mia Bllom, e cila ka dokumentuar rrëmbimet në librin e saj mbi QAnonin të publikuar këtë verë.

Një pjesë e besimeve të QAnonit është specifike për SHBA-në, ku teoria e konspiracionit nis. Por bindja se ekziston një konspiracion më i thellë shtetëror dhe komplote të sponsorizuara nga Qeveria për trafikimin e fëmijëve i kalojnë kufijtë fizikë, po aq sa edhe retorika antivaksinim që nisi qysh nga shpërthimi i pandemisë.

Rrëmbimi i Mias ishte frymëzuar nga një ish-politikan që premtoi t’i shpëtonte viktimat e trafikimit të fëmijëve dhe ta shpinte Francën drejt madhështisë së saj të dikurshme. Associated Press ka përmbledhur copëzat e rrëfimit nga intervistat me hetuesit dhe avokatët, si dhe me anë të qindra mesazheve online që shpalosën sesi besimet e stilit QAnon i joshin më të brishtët dhe i shpijnë në udhë shpesh të rrezikshme.

Dy burrat e paditur për rrëmbim ishin paditur javën e shkuar edhe për komplotin e së djathtës ekstreme kundër qendrave të vaksinimit ndaj COVID-19. Montemaggi është liruar të hënën, pas afro gjashtë muajsh në burg, por mbetet nën mbikëqyrje juridike deri në gjykim.

Ajo është 28-vjeçare me flokë të dendur ngjyrë gështenje dhe sy më verdhacakë, me zë pushkë dhe buzëqeshje të gjerë. Dy yje i ka të gdhendur tatuazh në kyçin e dorës.

Mian e kishte lindur kur ishte 20-vjeçare, por ajo dhe babai ua dorëzuan fëmijën prindërve të tij, pak ditë pas lindjes, ka thënë avokati i tyre. Montemaggi shkonte për ta parë herë pas herë.

Një ditë, kur Mia ishte 5-vjeçare, nëna e mori për të luajtur. Të dyja nuk u kthyen kurrë, ka thënë avokati Guillaume Fort.

Para kësaj, ajo më 2018 i ishte bashkuar lëvizjes antiqeveritare Jelekverdhët në Francë, bëhet e ditur sipas njerëzve që kanë qenë bashkë me të në protesta. Nëntorin e 2019-s, Montemaggi mbushi 27 vjet. Nuk po festonte.

“Sot, në ditëlindjen time, jam e neveritur”, ka shkruar ajo në postimin e 12 nëntorit 2019 në Facebook. “Që kur u zgjova, ky ‘zgjim’ i famshëm është i vështirë, duke më tretur krejt çfarë kam mësuar, krejt çfarë TV-ja dhe politikanët fshehin prej nesh, krejt këto rrena, nuk është e lehtë”.

Brenda një viti, teksa Franca po hynte në izolimin prej më të sertëve në botë shkaku i koronavirusit, bota e Montemaggit po bëhej përherë më e errët. Besonte se kullat 5G po ndikonin në pajisjet e njerëzve, se Bill Gatesi po bënte komplot për përhapjen e koronavirusit dhe qeveritë ngado po trafikonin fëmijë qoftë për t’i ngacmuar apo për t’i përdorur për ekstraktimin e esencës së rinisë së përhershme.

E mori Mian nga shkolla.

Në muajin e ditëlindjes së 28-të nxori përfundimin se Qeveria franceze ishte jolegjitime dhe se ligjet e saja më nuk vlenin për të, besime këto që përkojnë me atë që njihet si lëvizja e qytetarit sovran. Njëjtë sikurse QAnoni, kjo lëvizje ka nisur në SHBA, dhe pasuesit e saj janë ekstremistë antiqeveritarë që besojnë se nuk duhet t’u përgjigjen autoriteteve qeveritare, përfshirë gjykatat dhe organet e zbatimit të ligjit. Nxiti edhe të tjerët t’i bashkoheshin dhe krijoi një grup në Telegram në rajonin Lorraine. Postonte aty mesazhe të shkurtra me zë. Në njërin prej tyre njoftonte se do të paraqitej në gjyq më 11 janar, andaj nuk mund t’i bashkohej një takimi të propozuar. Në këtë gjykim, gjykatësi vendosi që Mia t’i jepej nën përkujdesje nënës së saj. Mund ta shihte të bijën dy herë në muaj, asnjëherë vetëm, në shtëpinë e gjyshes në Les Poulières, fshat rreth 30 minuta ngasje me veturë nga banesa e Montemaggit. Dhe nuk mund të fliste me të në telefon.

Ajo nuk e kishte ndonjë plan, porse besimet po përforcoheshin.

“S’ekziston asnjë ligj mbi ne përveç ligjit universal”, ka shkruar ajo në një mesazh. “Nuk ka ligje qeveritare. Duhet ta kuptoni këtë”.

Rrëmbimi

Image

Derisa sulmi në Capitol të SHBA-së është shembulli më i mirë i dhunës së ndërlidhur me QAnonin, është larg të qenët i vetmi. Që para 6 janarit QAnoni ka pasur një bazë solide në Evropë. Fillimisht në margjinat e protestave kundër izolimeve shkaku i koronavirus në Gjermani dhe Britani. Por gjatë izolimeve ka zgjeruar gamën e teorive të konspiracionit dhe është bërë më e errët.

Pikërisht në këtë kohë, emri i një politikani të turpëruar francez nisi të qarkullonte në dhomat e komunikimeve në frëngjishte të QAnonit në Telegram.

“Në Evropë, pika kulmuese ndodhi kur gjithçka u mbërthye me banderolën ‘Shpëtoni fëmijët tanë’”, ka thënë Andreas Önnerfors, një studiues i historisë së teorive të konspiracionit.

Emri i Daillet-Wiedemannit u shfaq 271 herë në grupin e QAnonit në Telegram nga tetori deri në prill. Sa më shumë që teoritë e Daillet-Wiedemannit përkonin me konspiracionet e QAnonit, aq më tepër rritej audienca. Asokohe, miqtë e Montemaggit e këshilluan që ta kontaktonte atë lidhur me telashet e kujdestarisë.

Daillet-Wiedemannit që jetonte në Malajzi kishte udhëzuar një prej mbështetësve të tij që ta bënte një plan për Mian dhe një tjetër fëmijë francez në të njëjtën situatë.

Pesë burra, prej 23 deri 60 vjeç, iu bashkuan komplotit që e quajtën “Operacioni Lima” – një kombinim i emrave të fëmijëve që i përfshinte, Lola dhe Mia. I vunë vetes edhe emra të koduar: Jeannot, Pitchoun, the Croë, Bruno, Bouga. Personi i gjashtë, një gjeneral-lejtënant i pensionuar i ushtrisë franceze, u kujdes për dokumentacionet e misionit në rajonin Vosges, afër Zvicrës.

Kryeplanifikuesi ishte Bouga, ka bërë të ditur avokati i tij Randal Schëedorffer.

Duke konstatuar se Mia ishte në rrezik psikologjik, burrat përpiluan listën e roleve të tyre në rrëmbim.

Më 13 prill, një furgon gri “Volkswagen” ndaloi në Les Poulières. Me dokumente që në shikim të parë dukeshin zyrtare, dy burra pretenduan se po e kryenin një kontroll të mirëqenies së Mias për Qeverinë. Gjyshja e vajzës u dakordua që ta lejonte intervistimin e saj pak më larg.

Një thirrje e shpejtë telefonike drejtuar shërbimeve të përnjëmendta të përkujdesjes e zbardhi gabimin. Por Mia veçse ishte larguar qëmoti drejt fshatit fqinj.

Aty Montemaggi po priste në një “Peugeot” të zi, bashkë me burrat e tjerë. U nisën drejt kufirit zviceran, pastaj Montemaggi dhe dy burrat hynë në mal. Pas disa orësh ecjeje, mbërritën në Zvicër ku i priti një tjetër anëtar i rrjetit. Ai nuk i shpuri në strehimoren ku duhej, porse në një hotel. Deri natën, lajmi për rrëmbim u dha në televizionet përreth Francës, shoqëruar me fotografitë e Mias dhe Montemaggit. Deri të nesërmen, shumica e burrave të përfshirë u arrestuan. Asnjëri nuk u lodh as ta fshihte rolin. Porse Mia dhe Montemaggi ishin ende në arrati. Hetuesit veçse e dinin se ato e kishin kaluar kufirin dhe ishin nisur drejt Lindjes.

Arrestimi

Image

Më 15 prill, Montemaggi dhe Mia u dërguan drejt fabrikës së vjetër të kutive muzikore. Aty s’kishte rrymë, ujë dhe shtretër, por diçka që nëna rrëmbyese kishte fort nevojë – izolim.

Pa alternativa të tjera, Montemaggi i kaloi aty tri net.

Policia mbërriti të dielën në mëngjes. E vërejtën së pari Mian, pasi e panë fotografinë e saj nga raportimi për rrëmbim. Pastaj para tyre doli edhe e ëma dhe loja mori fund.

Montemaggi u arrestua nën akuzën për rrëmbim. Familja dhe avokati i saj refuzuan të komentonin. Mia u ribashkua me gjyshen.

Daillet-Wiedemanni mandej e postoi një video, duke i lartësuar rrëmbyesit.

“Këta janë heronj. Po e rivendosin ligjin. I përgëzoj dhe do të bëj çmos për t’i liruar”, ka thënë ai në videon e postuar në YouTube, që u shikua 30 mijë herë. Por këtë mundësi nuk do ta ketë. Malajzia e dëboi gjatë qershorit. Tani është në burg për akuzën se e planifikoi organizimin e rrëmbimit të një fëmije.

Në paraqitjen e parë para gjykatës, Daillet-Wiedemanni e shpalli veten kandidat për president, e akuzat kundër tij i cilësoi politike.

Gjykatësit e pranuan të hënën kërkesën e Montemaggit për ta liruar deri në gjykim, pas muajsh të tërë insistim nga familja dhe nga avokati i saj se ajo nuk përbën rrezik për vajzën apo këdo tjetër.

“Kam filluar që t’i shoh bardhezi të drejtat e mia të natyrshme”, i ka shkruar ajo një miku në Telegram disa javë para se të arrestohej. “Me këtë tekst do të siguroj që të drejtat e mia të respektohen”. \ Hulumtim i Associated Press

Përktheu: Nita Lleshi