Botë

Zviceranët që i bindin miqtë të vaksinohen kundër COVID-19 do të shpërblehen nga Qeveria

Qytetarët zviceranë që arrijnë t’i bindin miqtë e tyre të vaksinohen kundër COVID-19, mund të kërkojnë ushqim falas në restorant apo shkuarjen në kinema pa para, sipas një plani të ri që ka për qëllim rritjen e nivelin të vaksinimit, i cili aktualisht është shumë i ulët më Zvicër.

Ky shtet evropian është përballur me një numër protestash kundër vaksinimit, derisa 42% e popullatës së saj prej 8,7 milionë banorësh nuk janë vaksinuar ende plotësisht.

Ministri zviceran i Shëndetësisë, Alain Berset, ka thënë gjatë një konference për media të premten në Bern se “Shkalla e imunizimit mbetet shumë e ulët, dhe kjo nënkupton se Zvicra ende nuk mund t’i japë fund masave anti-COVID”.

Sipas nismës më të re, secilit person të vaksinuar do t’i kërkohet që të japë emrin e një personi i cili e ka bindur atë që të marrë dozën e vaksinës, dhe të cilit më pas do t’i dërgohet një shumë parash kesh në vlerë prej 50 franga zvicerane, me të cilat mund të hajë një ushqim në restorant apo të shkojë në kinema.

Qeveria po ashtu ka bërë të ditur se ka planifikuar që të nisë javën nacionale të vaksinimit, me 170 qendra mobile të vaksinimit.

Ndonëse numri i rasteve ditore me koronavirus ka rënë dukshëm, ka ende numër të madh të njerëzve që nuk janë imunizuar e po ashtu varianti Delta vazhdon të mbizotërojë, gjë që mund të shkaktojë një valë të re të infektimeve.

Zvicra ka raportuar më shumë se 841,000 raste pozitive me COVID-19, e më shumë se 10,700 vdekje si pasojë e COVID-19, që nga fillimi i pandemisë.