Botë

Tensione me Kinën: SHBA-ja e aleatët thellojnë angazhimin në Indo-Paqësor

Kina dërgoi 24 aeroplanë luftarakë drejt Tajvanit në një demonstrim madhor të forcës, pasi ishulli i shpalosi synimet për t’iu bashkuar një grupi tregtar të Paqësorit, ku Kina gjithashtu ka aplikuar për pranim. Krejt kjo pasi SHBA-ja dhe aleatët e saj perëndimorë kanë thelluar angazhimin në rajonin e gjerë dhe me interes të madh për Pekinin zyrtar

Me gjuhë përherë më të ashpër në mbështetje të Tajvanit, marrëveshjen e re për furnizimin e Australisë me nëndetëse bërthamore dhe me lansimin e një strategjie evropiane për angazhim më të madh në rajonin Indo-Paqësor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj po bëhen përherë e më kritikë në qasjen e tyre karshi Kinës në ngritje.

Kina ka reaguar menjëherë karshi veprimeve, teksa tensionet në rritje midis Pekinit dhe Washingtonit kanë nxitur sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që t’u adresojë thirrje presidentit amerikan, Joe Biden, dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, për riparimin e marrëdhënieve “krejtësisht jofunksionale”, duke paralajmëruar se ato rrezikojnë të shkaktojnë ndasi në botë.

Teksa Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka hapur dyert këtë të martë, të dy liderët zgjodhën tone të qeta. Bideni insistoi se SHBA-ja “nuk është në kërkim të një lufte të ftohtë të re apo të një bote të ndarë në blloqe”, ndërsa Xi theksoi se “Kina kurrë nuk ka pushtuar dhe kurrë nuk do të pushtojë apo të ngacmojë të tjerët dhe të kërkojë hegjemoni”.

Por, çështjet e pazgjidhura mes dy fuqive kanë mbetur të pandryshuara. Kina është duke i përforcuar kapacitetet e veta ushtarake, ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e saj janë bërë më të zëshme në mbështetjen për Tajvanin, të cilën Kina e pretendon për territor të vetin, dhe po e thellojnë bashkëpunimin ushtarak në Indo-Paqësor.

Të enjten, Kina dërgoi 24 aeroplanë luftarakë drejt Tajvanit në një demonstrim madhor të forcës pasi ishulli i shpalosi synimet për t’iu bashkuar një grupi tregtar të Paqësorit, ku Kina gjithashtu ka aplikuar për pranim. Të premten, Bideni do të presë liderët nga Japonia, India dhe Australia për dialogun Katërpalësh të Sigurisë, në të cilin do të shqyrtohen çështje të shumta, nisur nga pandemia e COVID-19 dhe ndryshimet klimatike, por edhe ajo se si rajoni i gjerë i Indo-Paqësorit të mbahet “i lirë dhe i hapur”.

Takimi do të ndodhë vetëm një javë pas njoftimit dramatik se Australia do të heqë dorë nga një kontratë franceze për nëndetëse në favor të ofertës amerikano-britanike.

“Një gjë është e qartë, të gjithë po i kthejnë sytë kah Indo-Paqësori”, ka thënë Garima Mohan, udhëheqëse e programit për Azi në kuadër të Fondit Marshall të Gjermanisë.

Përveç SHBA-së edhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë Francën, kanë dërguar gjithashtu flota për ushtrime në Indo-Paqësor, ndërsa Britania e Madhe ka tash e sa muaj që ndërmerr manovra të ngjashme, në përpjekjen e Londrës për të shfaqur angazhim të ri në rajon.

Por, kulmi ishte pakti trepalësh SHBA-Britani e Madhe-Australi, i cili po konsiderohet si i destinuar kundër Kinës. E kundër saj Pekini është shfaqur veçanërisht i ashpër, duke e cilësuar si ujdi që do ta “dëmtonte seriozisht paqen dhe stabilitetin”. Pakti ka zemëruar gjithashtu edhe Francën aleate, pasi që ia pamundëson jetësimin e një kontrate me Australinë për ndërtimin e 12 nëndetëseve me energji bërthamore.