Botë

Pakistani: Ndalimi i shkollimit të vajzave është joislamike

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, thotë se ndalimi i shkollimit të vajzave në Afganistanin fqinj do të ishte një gjë joislamike.

Duke folur në një intervistë për BBC-në, Khan parashtroi kushtet që do të duhej të plotësoheshin, në mënyrë që Pakistani ta njohë zyrtarisht Qeverinë e re talebane të Afganistanit.

Ai kërkoi nga udhëheqja e re që të jetë gjithëpërfshirëse dhe t’i respektojë të drejtat e njeriut.

Ai po ashtu tha se Afganistani nuk duhet të përdoret si strehë për terroristët që mund të kërcënojnë sigurinë e Pakistanit.

Javën e kaluar, talebanët i përjashtuan vajzat nga shkollat e mesme, ndërsa ua lejuan kthimin vetëm djemve dhe mësuesve meshkuj.

“Deklaratat që bënë që kur erdhën në fuqi ishin shumë inkurajuese. Mendoj se do të lejojnë vajzat të shkojnë në shkolla. Ideja që vajzat nuk mund të edukohen është joislamike. Nuk ka asgjë të bëjë me fenë”, ka thënë Khan.