Botë

Plani për “varrosjen” e Bidenit më 6 janar

Libri “Peril” i gazetarëve Bob Woodward dhe Robert Costa shpalos detaje për prapaskenat e refuzimit të presidentit Donald Trump për të pranuar humbjen e zgjedhjeve dhe se si personat përreth tij dështuan të ndalnin zhgënjimin e tij të madh.

Më 4 nëntor, një ditë pas zgjedhjeve, Trumpi privatisht dukej se ishte gati të pranonte humbjen, duke e pyetur këshilltaren Kellyanne Conway: “Si dreqin humbëm votat ndaj Joe Bidenit?”. Mirëpo pas disa thirrjeve telefonike me më të besueshmit e tij, përfshirë avokatin Rudy Giuliani, Trumpi përqafoi teoritë e rrejshme dhe konspirative për manipulim të zgjedhjeve.

Dhëndri i tij Jared Kushner dhe e bija Ivanka Trump morën disa vendime të lehta, shkruajnë autorët e librit, por Kushner u tha këshilltarëve se nuk donte të ishte personi kyç për intervenime. Atëherë prokurori i përgjithshëm, Wlliam Barr fjalëbutë tentoi të bindte Trumpin se akuzat për manipulim të zgjedhjeve ishin të pavërteta.

“Problemi është se kjo çështje për makinat e votimeve janë dokrra”, kishte thënë Barr, sipas librit “Peril” të shpalosur në fragmente nga CNN-i amerikan. “Ekipi yt është me një kallaballëk palaçosh”, i ka thënë Barr – Trumpit.

Sipas librit, figura kyç e ditëve të para të presidentit ishte shfaqur përsëri: ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon. Autorët kanë shkruar se Bannon, i dënuar në prillin e vitit 2020 dhe i falur më vonë nga vetë Trumpi, luajti një rol të madh në frymëzimin e ngjarjeve që nxitën kaosin e 6 janarit.

Më 30 dhjetor, Bannon e bindi Trumpin që të kthehej në Shtëpinë e Bardhë nga Mar-a-Lago që të përgatitej për ngjarjet e 6 janarit, datën kur Kongresi do të certifikonte rezultatin e zgjedhjeve të 3 nëntorit.

“Duhet të kthehesh në Washington dhe duhet të bësh një kthim dramatik”, i kishte thënë Bannoni presidentit amerikan. “Duhet ta kthesh Pencen nga ato dreq dhe sille këtu. Kjo është krizë”, citohen fjalët e Bannonit në librin “Peril”.

Autorët kanë shkruar se Bannoni e kishte porositur Trumpin se 6 janari ishte “moment i llogaritjeve”.

“Njerëzit do të pyesin: ‘Çfarë dreqin po ndodh këtu?’, besonte Bannoni. “Më 6 janar do ta varrosim Bidenin, do ta varrosim”, kishte thënë këshilltari i Trumpit.

“Nuk jemi më miq”

Image

CNN-i shkruan se “Peril” shpalos gjithashtu situatën e tensionuar në Zyrën Ovale më 5 janar, kur Trumpi i bëri presion zëvendëspresidentit Pence që të ndryshonte rezultatin e zgjedhjeve. Teksa përplasja ndodhte brenda, dy burrat mund të dëgjonin përkrahësit e Trumpit teksa bënin thirrje për të në afërsi të Avenysë Pennsylvania.

“Nëse këta njerëz thonë se e ke pushtetin, a nuk do ta doje edhe ti?, e pyeti Trumpi zëvendësin e tij. “Nuk do të doja që ndonjëri prej tyre të ketë atë autoritet”, i ishte përgjigjur Pence, shkruan CNN. “Por a nuk do të ishte diçka e mirë që ta kesh atë pushtet”, pyeti Trumpi, sipas gazetarëve Woodward dhe Costa.

“Jo”, ishte i prerë Pence. “Kam bërë gjithçka që mundem dhe pastaj kërkova mënyra të tjera rreth kësaj. Thjesht nuk është e mundur.

Kur Pence qëndronte i palëkundur, Trumpi i ishte kthyer zemërueshëm.

“Jo, jo, jo!”, bërtiti Trumpi, kanë shkruar autorët. “Nuk e merr vesh Mike. Mund ta bësh këtë. Nuk dua të jem miku yt nëse nuk e bën këtë”.

Trumpi e telefonoi Pencen përsëri në mëngjesin e 6 janarit.

“Nëse nuk e bën këtë, i bie se kam zgjedhur njeriun e gabuar para katër vjetësh”, ka thënë Trump, sipas librit. “Do të largohesh” e porositi Pencen. Nervozizmi i tij ishte i dukshëm para zyrtarëve të tjerë në zyrë, shkruan CNN.

Ani pse i qëndroi përball Trumpit deri në fund, “Peril” ka zbuluar se pas katër vjetësh shkeli besnikërinë, por Pence nuk e përballoi vendimin. Woodward dhe Costa kanë shkruar se Pence kontaktoi Dan Quaylen, i cili shërbeu si zëvendëspresident i George H.W Bush, për këshilla. Vazhdimisht Pence e ka pyetur nëse kishte hapësirë për të vepruar. “Mike, nuk ke fleksibilitet në këtë. Asnjë. Zero. Harroje, hiqe nga mendja”, i ka thënë Quayle. Pence bëri presion përsëri.

“Nuk e di se në çfarë pozicioni jam”, i kishte thënë ai ish-zëvendëspresidentit, kanë shkruar autorët e librit.

“E di se në çfarë pozite je”, i ishte përgjigjur Quayle. “Por gjithashtu e di se çfarë ligjesh janë. Dëgjo parlamentarët. Kaq mund të bësh. Nuk ke fuqi”, citon agjencia amerikane.

Postimi në Twitter

Sipas autorëve të librit, Trumpi i shpërfilli kërkesat e vazhdueshme nga stafi dhe e bija e tij Ivanka Trump që të shpërndante kryengritësit në Capitol më 6 janar. Në njërën prej skenave, gjenerali i pensionuar, Keith Kellogg, i cili shërbeu si këshilltar për siguri kombëtare te zëvendëspresidenti Pence, ndodhej në Shtëpinë e Bardhë teksa Trumpi nga televizori po shikonte kaosin në Washington. Kellogg kërkoi veprime nga Trumpi.

“Duhet ta bësh një postim”, e kishte këshilluar Kellog, sipas autorëve të librit. “Duhet të postosh shpejt, ndihmo në kontrollin e turmës. Kjo është jashtë kontrollit. Nuk do të mund ta kontrollojnë këtë. Zotëri, nuk janë të përgatitur për këtë. Sapo turma të fillojë kështu, e keni humbur kontrollin”.

“Po”, ishte i shkurtër Trumpi. Autorët kanë shkruar, ‘Trumpi ia bëri me sy dhe vazhdoi të shikonte televizorin”.

Ivanka Trump gjithashtu kishte tentuar të intervenonte. Tri herë kishte folur me babanë. “Lëre më. Lëre”, i kishte thënë ajo.

Version i ri i librit “Rage”

Libri i mëparshëm i Woodwardit për Trumpin mban titullin “Rage”, por “Peril” është i mbushur me skena britmash. E lë shumë prapa librin e vjetër, shkruan CNN.

Zyrtarët kryesorë u kanë thënë autorëve se nervozizmi i Trumpit shpesh ua kujtonte filmin “Full Metal Jacket”. Të tjerët kishin në mendje filmin “Doctor Strangelove”.

Në qershorin e vitit 2020, pak ditë pas protestave “Black Lives Matter” afër Shtëpisë së Bardhë, Trumpi ishte i ashpër ndaj atëherë ish-sekretarit të mbrojtjes, Mark Esper, i cili kishte bërë të ditur se kundërshtonte heqjen e “Aktit të Kryengritjes” në përgjigje të protestave.

“Më more autoritetin tim”, i kishte bërtitur Trumpi Esperit në Zyrën Ovale. “Ti nuk je presidenti! Unë jam presidenti i dreqit!”. Ama Trumpi nuk e kishte përfunduar, sipas librit. Iu kthye krejt ekipit që ndodhej në zyrë. “Ju të gjithë jeni të mbaruar. Të gjithë. Jeni të mbaruar secili”, kishte bërtitur Trumpi.

Pas zgjedhjeve, llahtaria e Trumpit ishte përqendruar te prokurori i përgjithshëm, Barr, që kishte guxuar të përmendte administratën në ardhje të Bidenit.

“Pjesa e parë e administratës së Bidenit!”, kishte bërtitur Trumpi, kanë shkruar autorët e librit “Peril”. Trumpi ishte aq nervoz, mendoi Barr sa “nëse një personi do të mund t’i dilnin flakët nga veshët, ky qe momenti”, kanë shkruar gazetarët Woodward dhe Costa.

Në libër gjithashtu është shkruar se Trumpi ende mban inat me republikanët që e kanë fajësuar për kaosin e 6 janarit, përfshirë liderin e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy.

“Ky tipi më telefononte çdo ditë, shtirej si miku im më i mirë, pastaj ma futi. Nuk është djalë i mirë”, ka thënë Trump, sipas fragmentit të librit, cituar nga CNN.

Ani pse McCarthy tërhoqi komentet e tij për kaosin e 6 janarit, Trumpi besohet se rrëzoi të gjitha përpjekjet e tij për pajtim.

“Kevini erdhi për të më puthur prapanicën dhe dëshiron ndihmën time që ta fitojë Dhomën [e Përfaqësuesve]”, kishte thënë Trump sipas autorëve të librit.

Faqet e fundit të librit janë për aleatët e Trumpit që spekulojnë për planet e tij të vitit 2024. Privatisht, senatorja republikane Lindsey Graham citohet duke thënë “nëse dëshiron të garojë, i duhet të përballet me problemet e veta të personalitetit... kemi një kapiten të dëmtuar të ekipit”.

Mirëpo në bisedat direkte me Trumpin, Graham ishte më optimiste.

“Jeni cilësuar si i vdekur për shkak të 6 janarit. Urtësia konvencionale është se Partia Republikane, nën udhëheqjen tënde, është shembur”, i ka thënë Graham Trumpit, sipas librit. Graham vazhdon t’i tregojë Trumpit se “nëse ju ktheheni dhe e merrni Shtëpinë e Bardhë, do të ishte rikthimi më i madh në historinë amerikane”.

Në muajin korrik, ish-menaxheri i fushatës së Trumpit, Brad Parscale, i cili ishte ulur nga detyra dhe pastaj u tërhoq nga fushata në shtatorin e vitit 2020, e bëri pyetjen. “Zotëri, a do të garosh?”

“Jam duke menduar... fort jam me mendje te garimi”, ishte përgjigjur Trumpi.

“Kishte një ushtri. Ushtrinë për Trumpin. Dëshiron ta rikthejë”, u kishte thënë Parscale të tjerëve. “Nuk mendoj se këtë e sheh si rikthim. Më shumë si hakmarrje”.

Përktheu: Gent Mehmeti

(Fund)

Pjesa e parë: