Botë

BE-ja bën thirrje që të mbrohen gazetarët pas rritjes së numrit të sulmeve

Qeveritë në Bashkimin Evropian janë nxitur nga Brukseli që të ndërmarrin veprime për mbrojtjen e gazetarëve, pas një rritje në sulmet fizike dhe përmes internetit të punonjësve të mediave.

Duke nxjerrë rekomandimin e parë për sigurinë e gazetarëve, Komisioni Evropian thirri qeveritë që të krijojnë pika kontakti falas për punonjësit e mediave që përballen me kërcënime fizike apo në online, në mënyrë që të sigurojnë përgjigje të shpejtë nga policia dhe prokuroria. Po ashtu do që të sigurohet që gazetarët të cilët bien viktima të krimit, të kenë qasje në konsultim, këshilla ligjore dhe strehim.

Sipas komisionit, 908 gazetarë dhe punonjës të mediave janë sulmuar në 23 shtete anëtarë të BE-së më 2020, duke përfunduar me pasoja fizike dhe mentale, si dhe dëmtim të pronës. Këtu përfshihet vrasja e Daphne Caruana Galizia nga Malta dhe Jan Kuciak nga Sllovakia, të cilët hulumtuan korrupsionin në shtetet e tyre. Këtë vit, reporteri për krimin në Holandë, Peter de Vries, u vra në një rrugë të Amsterdamit dhe reporteri hulumtues grek Giorgos Karaivaz u vra kur po kthehej në shtëpi.

Gazetarët pa Kufij regjistroi vrasjet e katër gazetarëve në 10 vjet para vrasjes së Caruana Galizia më 2017. Zyrtarët e BE-së kanë thënë se janë të alarmuar për rritjen e numrit të sulmeve, raporton The Guardian.

Zëvendëspresidentja e Komisionit, Vera Jourova, ka thënë se bisedat me famijet e Caruana Galizia dhe Kuciakut kanë qenë ndër momentet më të vështira të punës së saj së kaluar si komisionere e BE-së.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, premtoi që do të sjellë para një akt për lirinë e mediave më 2022 për të mbrojtur pavarësinë e shtypit.

Komisioni po u kërkon autoriteteve shtetërore të sigurojnë ndjekje më të fuqishme të shkelësve të ligjit, duke punuar përtej kufijve me shtete të tjera apo edhe me Europolin. Rekomandime të tjera përfshijnë trajnimin e zyrtarëve policorë për sigurimin e mbrojtjes më të mirë të gazetarëve gjatë protestave.

Rekomandimet u drejtohet 27 qeverive të BE-së, por komisioni shpreson se edhe shtetet kandidatë për BE-në në Ballkanin Perëndimor t’i marrin parasysh.