Botë

Blinken e mbron në Kongres tërheqjen nga Afganistani

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është përballur për të dytën ditë radhazi me pyetjet e ashpra të anëtarëve të Kongresit lidhur me vendimin e kritikuar të administratës së presidenti Joe Biden për tërheqje nga Afganistani.

Duke dëshmuar para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Blinkeni është përpjekur që të shmangë valën e re të zemërimit të ligjvënësve lidhur me operacionin që ka rezultuar me rënien e tërësishme të Afganistanit në duart e talebanëve. Ai ka përsëritur se administrata ka bërë më të mirën e mundshme nën rrethana jashtëzakonisht sfiduese dhe kaotike.

Blinkeni përsëri e fajësoi administratën e mëparshme të ish-presidentit, Donald Trump, për marrëveshjen paqësore të shkurtit të 2020-s arritur me talebanët, e cila ai tha se ia la Bidenit duart e lidhura.

Sekretari amerikan ka mbrojtur vendosmërisht tërheqjen ndërsa përfundimin e luftës më të gjatë amerikane e ka cilësuar si “gjë të duhur” pas 20 vjetësh.