Botë

73-vjeçari amerikan vdiq pasi nuk kishte vend për t’u shtrirë në 43 spitale

Një burrë nga Alabama, SHBA, vdiq nga arresti kardiak pothuajse 200 kilometra larg shtëpisë së tij pasi u largua nga më shumë se 40 spitale që ICU-të e tyre i kishin të zëna plotësisht me pacientët me COVID-19.

Familja e Ray Martin DeMonia, i cili vdiq më 1 shtator, tre ditë para ditëlindjes së tij të 74-të, tani kanë apeluar që njerëzit të marrin vaksinat anti-COVID në mënyrë që të lehtësojë presionin mbi sistemin e kujdesit shëndetësor dhe të lirojë burimet për njerëzit që nuk lidhen me emergjencat e COVID.

Familja e tij ka thënë se kur DeMonia pësoi një sulm në zemër në fund të muajit të kaluar ata kontaktuan 43 spitale në tre shtete, por nuk ishin në gjendje të gjenin një shtrat të vetëm në dispozicion me ICU. Ata përfundimisht i gjetën atij një vend në spitalin Rush Foundation në Meridian, Mississippi, i cili është më shumë se 200 kilometra larg shtëpisë së tij në Alabama.

Në një nekrologji për DeMonia, familja u bëri thirrje të tjerëve që "ju lutemi të vaksinoheni".

Alabama ka qenë ndër shtetet amerikane që përballen me një rritje të shtrimeve në spital me COVID-19. Scott Harris, kreu i Departamentit të Shëndetit Publik në Alabama, u tha mediave se edhe pse rritja e shtrimeve në Alabama në spitale duket se është "stabilizuar", ai pohoi se "ka akoma më shumë pacientë që kanë nevojë për kujdes ICU sesa ka shtretër në dispozicion".

Sipas të dhënave të përpiluara nga Washington Post, gati 2.800 njerëz në shtet u shtruan në spital me COVID-19 të dielën dhe kjo përfshin 768 në ICU.

Vetëm 40 për qind e qytetarëve të Alabamës janë të vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, tregojnë të dhënat e fundit. Shteti ka shkallën e katërt më të ulët të vaksinimit midis të gjitha shteteve në SHBA.