Botë

Bushi bën thirrje për unitet në 20-vjetorin e sulmeve

Ish-presidenti amerikan, George Bush, ka shfrytëzuar përvjetorin e 20-të të sulmeve terroriste në SHBA për të kërkuar unitet kombëtar.

Para memorialit në Pennsylvania, Bush ka thënë se më 11 shtator 2001, amerikanët mësuan shumë për veten.

“Kemi mësuar se trimëria është më e zakonshme se që e kemi menduar, duke u shfaqur papritur përballë vdekjes”, ka thënë ai në ceremoninë përkujtuese.

Bushi, që atë kohë ishte president i SHBA-së, ka kujtuar guximin e pasagjerëve dhe ekuipazhit të “Flight 93” që besohet se arritën t’ia dështojnë terroristëve një sulm në Capitol duke e rrëzuar në një fushë në Pennsylvania.

“33 pasagjerët dhe shtatë pjesëtarët e ekuipazhit mund të kenë qenë një grup qytetarësh të zgjedhur nga fati. Ata qëndruan për të gjithë ne. Terroristët shpejt kuptuan se një grup i rëndomtë amerikanësh është një grup i jashtëzakonshëm i njerëzve”, ka thënë ai duke bërë thirrje për unitet.

“Në ditën e pikëllimit, pashë miliona njerëz që instinktivisht kapnin dorën e fqinjit dhe u bënë bashkë për kauzën e njëri-tjetrit.”