Botë

11 Shtatori – Dita që ndryshoi përgjithmonë Amerikën

Descriptive Text

Njëzet vjet pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, amerikanët kanë nderuar rreth 3 mijë jetë të humbura në ditën që ndryshoi përgjithmonë botën, por edhe vetë Amerikën.

Dita e përkujtimit është bërë traditë vjetore, por shërben si shenjë e pikës së kthesës në historinë amerikane. Ditë që u dha amerikanëve ndjesinë e të qenit të dobët, por që ndryshoi përgjithmonë jetën e tyre.

Si shenjë e zezë e këtij ndryshimi, vetëm javë më parë, SHBA-ja dhe aleatët e saj përfunduan tërheqjen kaotike nga lufta më e gjatë në historinë e Amerikës.

Dy dekada pas rrëzimit të Kullave Binjake, amerikanët ende vuajnë pasojat e sulmeve terroriste.

Mijëra njerëz kanë dëshmuar për sëmundjet në lidhje me sulmin.

Sot janë më shumë se 111 mijë persona që janë mjekuar për problemet shëndetësore në lidhje me pluhurin.

SHBA-ja ka shpenzuar 11.7 miliardë dollarë kompensime ndaj personave që kanë thithur pluhurin e liruar nga rrëzimi i Kullave Binjake.

Më shumë se 4.6 miliardë dollarë u janë ofruar familjeve të viktimave dhe të lënduarve më 11 Shtator.

Shkencëtarët ende nuk janë të sigurt se sa njerëz patën probleme shëndetësore si pasojë e ekspozimit të madh të qindra tonëve plastikë, xham, asbest dhe gips të shkrirë nga zjarri në Kullat Binjake.

Mijëra njerëz kanë raportuar për kancer në lëkurë, bllokim të frymëmarrjes dhe probleme të mëdha me gjumin.

12 mijë e 500 persona janë regjistruar për programin shëndetësor të krijuar enkas për sulmet e 11 Shtatorit.

Gati 19 mijë të tjerë kanë raportuar për probleme mendore, që besohet se janë të lidhura me sulmet.

20-vjetori i 11 Shtatorit vjen në kohën kur liderët shtetërorë janë të shqetësuar për kujtesën kolektive të asaj dite. Rreth 75 milionë amerikanë, e barabartë me çerekun e popullsisë së SHBA-së, kanë lindur që prej 11 Shtatorit të vitit 2001.