Botë

Ish-presidenti i Afganistanit u kërkon falje qytetarëve se iku

Ish-presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, u ka kërkuar falje qytetarëve të Afganistanit pasi iku për në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Largimi nga Kabuli ishte vendimi më i vështirë i jetës sime. Më vjen keq që nuk mund ta bëja që kjo të përfundonte ndryshe”, ka thënë Ghani, raporton BBC.

Ghani u largua nga Afganistani menjëherë pasi militantët talebanë avancuan drejt Kabulit më 15 gusht.

Ai tha se nuk e kishte qëllim të braktiste popullin e tij por ishte mënyra e vetme.

Ai ka mohuar pretendimet se udhëtoi për në Emirate me afro 169 milionë dollarë.

Në një deklaratë që e ka publikuar në T]itter, Ghani ka thënë se nuk kishte opsion tjetër pos të largohej, në mënyrë që të parandalonte gjakderdhjen.

“Unë u largova me udhëzimin e sigurimit të pallatit, më thanë se nëse qëndroj atëherë rrezikohen luftime në rrugë si gjatë luftës civile të viteve 1990”, ka thënë Ghani, ndërsa ka shtuar se u largua për të shpëtuar Kabulin dhe gjashtë milionë qytetarët e tij.

Ghani thotë se ia ka kushtuar 20 vjet Afganistanit për ta bërë shtet demokratik, prosperues dhe sovran.