Botë

Nuk ka doza të mjaftueshme të vaksinave për venezuelasit

Tre muaj pasi janë shpërndarë vaksinat e fundit ruse në Venezuelë, mijëra njerëz çdo ditë presin para qendrave të vaksinimit me shpresën se do të marrin edhe dozën e dytë.

Numri i njerëzve që po presin për vaksinim me vaksinën ruse Sputnik V, është ngritur në ditët e fundit pas lajmit se kanë arritur dozat e reja. Ambasadori rus në Venezuelë, ka konfirmuar ardhjen e kontingjentit të ri të vaksinave, por nuk ka saktësuar numrin e dozave.

Mirëpo të martën, qendrat e vaksinimit kanë dëbuar njerëzit që po prisnin me arsyetimin se vaksina ruse ende nuk ka arritur. Në muajin shkurt, Venezuela siguroi 200 mijë doza të vaksinës ruse, por pasi i shfrytëzoi të gjitha, Venezuela nisi përdorimin e vaksinave kineze. Të martën janë siguruar 700 mijë doza të vaksinës kineze, ndërkaq deri në muajin tetor, Venezuela synon të vaksinojë 70 për qind të popullsisë me së paku një dozë, me qëllim që të arrijë imunitetin e tufës.