Botë

Opozita ruse kundërshton ligjin ndaj mediave të lira

Kandidatët e opozitës ruse kanë protestuar në Moskë kundër ligjit që disa media private i cilëson si “agjentë të huaj”.

Me këtë ligj, shteti i akuzon mediat se janë financuar nga shtetet e huaja. Ky ligj, sipas kandidatëve opozitarë të zgjedhjeve të këtij muaji, është masë ndëshkuese kundër mediave kritike të shtetit.

Organizatat e mediave, me këtë ligj, detyrohen që të tregojnë krejt përmbajtjen e tyre dhe se janë realizuar nga agjentët e huaj. Për këtë masë, shumë kompani kanë ndalur reklamat te këto media. Ligji për herë të parë është aplikuar ndaj transmetuesit online Dozhd.

Ky medium kishte kritikuar shtetin. Kritikët këtë ligj e shohin si formë të presionit ndaj mediave të lira para zgjedhjeve kombëtare të 17 shtatorit.

Për shkak të ndalimit të protestave dhe tubimeve të mëdha që prej fillimit të pandemisë, protesta e opozitarëve rusë ishte thirrur si takim mes deputetëve dhe votuesve për fushatën zgjedhore.