Botë

Florida do t’i gjobisë shkollat apo bizneset që kërkojnë provë të vaksinimit

Descriptive Text

Bizneset, shkollat apo organizatat qeveritare në Florida, të cilat kërkojnë nga njerëzit prova të vaksinimit kundër COVID-19, do të gjobiten me një shumë të madhe parash, sipas ligjit të ri të Departamentit të Shëndetësisë së këtij shtetit.

Ligji i cili ishte finalizuar të premten, nis së zbatuari që nga 16 shtatori. Sipas tij, ata që kërkojnë nga klientët apo anëtarët e tyre provë të vaksinimit, do të gjobiten me 5,000 dollarë.

Të gjobiturit, sipas ligjit, mund të kundërshtojnë gjobat, ndonëse ata do të kenë 30 ditë në dispozicion që t’i paguajnë ato, prej momentit të gjobitjes.

Në maj të këtij viti, guvernatori i Floridas, Ron DeSantis, kishte nënshkruar projektligjin i cili i ndalonte bizneset, shkollat apo organizatat qeveritare që të kërkonin provë të vaksinimit.

“Në Florida, zgjedhja personale lidhur me vaksinimin do të mbrohet dhe asnjë biznes apo organizatë qeveritare nuk do të vendosë për shërbimet tuaja, bazuar në vendimin tënd në këtë drejtim”, ka thënë ligjvënësi republikan.

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 në SHBA është rritur dukshëm për shkak të variantit shumë lehtë të transmetueshëm të tij, Delta.

Njerëzit e pavaksinuar përbëjnë numrin më të madh të rasteve të reja dhe hospitalizimeve.

Deri të mërkurën, 52.6% ose 174,6 milionë banorë të SHBA-së është vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, tregojnë të dhënat e Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), derisa 61.9% apo 205.5 milionë të tjerë janë vaksinuar me vetëm njërën dozë.