Botë

Arabia Saudite bëhet me ushtare

Ushtria e Arabisë Saudite, nga e mërkura është bërë edhe me “njësit” ushtaresh.

Gratë nga ky vend që morën pjesë në stërvitjen ushtarake u diplomuan nga Qendra e Trajnimit të Forcave të Armatosura, pasi ndoqën trajnimin përmes programit të parë ushtarak për gratë në këtë vend.

Gjeneralmajori Adel Al-Balawi, drejtor i Drejtorisë së Arsimit dhe Trajnimit të Forcave të Armatosura, në ceremoninë e diplomimit theksoi se qendra ka një mision të rëndësishëm për të ofruar trajnime dhe kurrikula të shkëlqyera dhe një mjedis ideal mësimi.

"Trajnimi dhe edukimi kryhen në përputhje me standardet ndërkombëtare të cilësisë. Kjo synon të përmirësojë efikasitetin e përgjithshëm, i cili do të ndihmojë në arritjen e qëllimeve të ministrisë në të ardhmen", tha ai.

Pas fjalëve hyrëse të gjeneralit, rreshteri Suleiman Al-Maliki si dhe ndihmësit e tij u ndanë mirënjohje grave që treguan rezultatet më të mira gjatë stërvitjes ushtarake.

Arabia Saudite filloi rekrutimin për ushtare në shkurt të këtij viti. Sipas zyrtarëve, gratë nuk do të marrin pjesë në luftime, por do të jenë të angazhuara “në sektorin e sigurisë”.

Vendimi që gratë mund të marrin pjesë në trajnimin ushtarak është pjesë e shumë vendimeve nga mbreti Salman që kërkon të reformojë sistemin aktual dhe të përmirësojë të drejtat e grave në këtë vend. Që nga qershori 2018, gratë lejohen të drejtojnë vetura dhe autoritetet gjithashtu kanë miratuar praninë e tyre në ndeshjet e futbollit.