Botë

Koreja Veriore refuzon ndihmën prej 3 milionë dozash të vaksinës anti-COVID

Koreja Veriore ka kërkuar që pothuajse 3 milionë doza të vaksinës që i janë ofruar, të shkojnë diku tjetër, kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara.

Një zëdhënës i OKB-së ka thënë se ky shtet ka kërkuar që dozat e vaksinës t’u dërgohen vendeve që janë më të goditura nga COVID-19.

Koresë së Veriut i ishin ofruar vaksinat kineze Sinovac, në kuadër të programit COVAX, i cili synon të ndihmojë vendet më të varfra në arritjen e vaksinës.

Shteti aziatik është pjesë e skemës së ndihmës mirëpo ende nuk e ka pranuar asnjë dozë në kuadër të saj.

Koreja Veriore ka imponuar masa të ashpra anti-COVID që nga fillimi i pandemisë, dhe u bë ndër shtetet e para që i mbylli kufijtë në janar të vitit të kaluar.

Pavarësisht kësaj, ka pasur shumë shqetësime rreth suksesit të këtij shteti për ta menaxhuar pandeminë.

Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që Koreja refuzon vaksina. Në korrik, kishte refuzuar një kontingjent prej rreth 2 milionë dozash të vaksinës AstraZeneca, për shkak të siç thuhej, shqetësimeve për efekte anësore.