Botë

Sfidat e talebanëve në krye të Afganistanit

Një qeveri gjithëpërfshirëse do të ngadalësonte ikjen në masë të afganëve, sidomos të atyre të arsimuar, ndërkaq do të bindte komunitetin ndërkombëtar që të dërgonte ndihmat aq shumë të nevojshme.

Pushtuesit e rinj të Afganistanit, talebanët, përballen me sfida të rënda ekonomike dhe të sigurisë teksa po ngjiten në pushtetin e shtetit që është krejt ndryshe prej atij të cilin e braktisën para 20 vjetësh.

Kur ishin në pushtet në fundin e viteve ’90, Afganistani ishte shtet i varfër i mbështetur në agrikulturë teksa talebanët ishin të preokupuar për vendosjen e ligjeve të rrepta të islamit te një popullsi edhe ashtu konservatore.

Kësaj here ata trashëgojnë një shoqëri më të zhvilluar, por të vogël në numër, një shtresë të mesme të arsimuar, ndërkaq ekonomia është e shkatërruar nga lufta dhe korrupsioni. Edhe para 15 gushtit, ditën kur talebanët morën kontrollin e Kabulit, mesatarja e papunësisë ishte më shumë se 30 për qind, ndërkaq gjysma e afganëve jetojnë në varfëri. Këtij shteti nuk i ka ndihmuar përfshirja e amerikanëve në dy dekadat e fundit dhe shpenzimi i miliarda dollarëve si ndihmë financiare.

Ndryshimi i talebanëve

Talebanët siguruan afganët se kanë ndryshuar nga viti 1996, kur menaxhuan me grusht të hekurt. Burrat është dashur të mbanin mjekra ndërkaq gratë duhej të mbulonin krejt trupin dhe fytyrën me burka. Vajzave iu mohua arsimimi dhe arti si muzika. Televizionet u mbyllën.

Kjo e kaluar është hije për afganët që kanë frikë se talebanët janë ujqërit e moçëm. Shkaku i pasigurisë shumë prej afganëve nuk duan të kthehen në punë, ani pse kanë marrë premtime nga talebanët. Mijëra të tjerë po kërkojnë të ardhme më të mirë shumë larg prej Afganistanit.

“Sfida më e madhe për talebanët është që të kenë dikë tjetër të qeverisin me Afganistanin”, thotë Torek Farhadi, ish-këshilltar i qeverisë së rrëzuar të Afganistanit.

“Ata e dinë se morën fitoren ushtarake, por u duket e çuditshme që tani pozitat e fuqishme duhet t’ia dhurojnë dikujt tjetër”, shton ai.

Ish-këshilltari thotë se qeveria e re mund të ketë sukses vetëm nëse të gjithë afganët, përfshirë gratë, e ndjejnë se janë të përfaqësuar.

Shumica e liderëve talebanë, të cilët janë në krye të Kabulit, ishin pjesë e regjimit famëkeq të viteve ’90, por vitet në mërgim i kanë ndryshuar ata.

Në vitin 1996, Mullah Abdul Ghani Baradar rrallë donte të kthehej në Kabul. Preferonte jetën në Kandahar. Mirëpo në vitet e fundit ai është shfaqur si kryenegociator politik, jetonte në Katar, shtetin arab që shërbeu si zyrë politike për talebanët. Baradari qëndronte përkrah zyrtarëve kryesorë të Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Talebanët e ditëve të sotme janë shfaqur shumë paqësorë. U kanë bërë thirrje ish-kundërshtarëve që të kthehen në atdhe dhe kanë premtuar se nuk do t’u hakmerren për bashkëpunimin me shtetet e huaja.

Sfida e parë e talebanëve është formimi i qeverisë së re. Kanë premtuar se do të përfshijnë figura jotalebane, por nuk është e qartë nëse duan ta ndajnë pushtetin me dikë tjetër.

Një qeveri gjithëpërfshirëse do të ngadalësonte ikjen në masë të afganëve, sidomos të atyre të arsimuar ndërkaq do të bindte komunitetin ndërkombëtar që të dërgonte ndihmat aq shumë të nevojshme.

Talebanët duhet të kënaqin dëshira të shumta. Edhe në mesin e liderëve ka qëndrime të kundërta për mënyrën e qeverisjes. Nuk mund të injorohen edhe liderët e fuqishëm të disa fiseve.

Pastaj janë mijëra luftëtarë që vitet e fundit i kanë kaluar në fushëbeteja ndërkaq janë të frymëzuar me ndjenjën e fitores. Është e vështirë të binden luftëtarët e rinj. Ata do ta kenë të vështirë të pranojnë se kompromisi është për të mirën e përbashkët, por ky proces nuk është i pamundur.

Në të kaluarën grupet e luftëtarëve talebanë që e ndien se lëvizja kishte tradhtuar besimet u bënë bashkë në Shtetin Islamik, ndërkaq tani po kërcënojnë shtetin. Gjatë javës së kaluar një kamikaz në aeroportin e Kabulit la të vdekur 169 afganë dhe 13 amerikanë.

Pritjet e mëdha

Edhe koha nuk është në anën e talebanëve. Ekonomia afgane ka qenë në krizë për vite të tëra. Nëse paqja arrihet në këtë shtet, qytetarët e saj do të rrisin kërkesat për lehtësime ekonomike, të cilat do të jenë të pamundura nëse komuniteti ndërkombëtar, tërheq krejtësisht përkrahjen financiare.

Qeveria e re duhet të jetë e fuqishme menjëherë dhe të lehtësojë krizën ekonomike, thotë Michael Kugleman, analist në Wilson Center me bazë në Shtetet e Bashkuara.

Nëse dështon “do të nisin ankesat e shumta dhe protestat kundër talebanëve. Këto protesta do të jenë sfidë e madhe për talebanët, të cilët do të tentojnë të konsolidojnë pushtetin”, thotë ai.

Por sa më larg që talebanët mund të shkojnë për të lehtësuar shqetësimet ndërkombëtare, aq më shumë do të ketë ndasi në mesin e liderëve të tyre, sidomos tek ata me ideologji ekstreme.

Farhadi thotë se ka një rezervuar të ekspertizës në mesin e afganëve, të cilën talebanët mund ta shfrytëzojnë, mirëpo çdo gjë varet nga faqja e qeverisë së re. Kugelman thotë se talebanëve u duhet patjetër ajo ekspertizë.

“Është një regjim që nuk ka përvojë në momentin kur ka krizë të madhe politike, e përbërë nga fakti se komuniteti ndërkombëtar do të ndalë fondet për këtë qeveri talebane”, thotë ai.

“Dhe gjithmonë është populli, njerëzit afganë, të cilët do të pësojnë më së shumti”, shton ai.