Botë

Fotografia e momenteve të fundit të ushtarëve amerikanëve që lënë Afganistanin

Pas dy dekadash, ushtari i fundit amerikan, pa ceremoni, e pa madhështi të fitores, është larguar nga Afganistani.

Gjeneralmajori Chris Donahue, ishte ushtaraku i fundit amerikan që me këmbë u largua të hënën në mbrëmje.

I armatosur e me helmetë, ushtari u fotografua teksa dilte nga vendi.

Në orën 23:59 sipas kohës në Kabul, mesazhi i tij i fundit për trupat që udhëhiqte ishte: “Puna shkoi me mirë, jam krenar për të gjithë ju”.

Fotografia e Donahuet teksa largohet u publikua nga Komanda Qendrore e SHBA-së. Ajo tani shihet si simbol i “tërheqjes jo të suksesshme të Amerikës”.

Në mes të SHBA-së dhe talebanëve në fillim të vitit 2020 u arrit një marrëveshje për tërheqjen e forcave të huaja nga Afganistani. Talebanët ishin zotuar se s’do të lejojnë që territori të përdoret nga grupet terroriste. SHBA-ja qe disa javë ka nisur me evakuimet e atyre që po ndihen të rrezikuar.

SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator, 2001.

Gjithsej 2,461 pjesëtarë të shërbimit amerikan u vranë në Afganistan dhe më shumë se 20,000 u plagosën, në dy dekadat e fundit.

Uashingtoni ka shpenzuar më shumë se 1 trilion dollarë në këtë luftë.