Botë

Vajzat dhe djemtë afganë do të studiojnë ndaras, sipas vendimit të ri taleban

Gazetarët në Afganistan kanë raportuar se talebanët kanë krijuar sistem të ri sa i përket edukimit.

Ziar Khan Yaad, një gazetar afgan ka bërë të ditur se Ministria talebane e Edukimit ka njoftuar që vajzat dhe djemtë nuk do të mund të studiojnë më së bashkë në universitete.

Sipas ministrisë, tash e tutje, djemtë dhe vajzat do të mësojnë në klasa të ndara, në pajtim me ligjin islam.

Po ashtu, gazetari i pavarur Bashir Ahmad Gwakh ka shkruar në Twitter se ministri taleban i Edukimit të Lartë ka ndaluar zyrtarisht që burrat t’i mësojnë gratë.

Që kur talebanët e kanë marrë në dorë Afganistanin këtë muaj, ka pasur ngritje të shqetësimeve se grave dhe vajzave do t’u ndalohen të drejtat për të punuar dhe studiuar, siç kishte ndodhur më parë, në rregullat talebane.