Botë

Izraeli kryen sulme ajrore ndaj caqeve të Hamasit në Rripin e Gazës

Avionët izraelitë kanë goditur caqe të militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës, në orët e hershme të së dielës. Këto sulme vijnë pas përleshjeve të ashpra në mes të protestuesve palestinezë dhe trupave izraelite përgjatë kufirit.

Ushtria izraelite tha përmes një deklarate se avionët kanë bombarduar një ndërtesë të Hamasit në Rripin e Gazës, si kundërpërgjigje pas hedhjes së balonave me flakë në jug të Izraelit dhe protestave të dhunshme që janë mbajtur për dy javë me radhë, raporton Associated Press. Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett foli për gazetarët në Uashington, para se të nisej drejt Izraelit. Ai gjatë qëndrimit në SHBA u takua me presidentin amerikan, Joe Biden.

“Ne do të operojmë në Gaza sipas interesave tona”, tha ai.

Të shtunën, qindra aktivistë të mbështetur nga Hamasi mbajtën një protestë gjatë natës përgjatë kufirit me Izraelin, ku hodhën eksplozivë drejt forcave izraelite, të cilat u përgjigjën me të shtëna armësh. Zyrtarët shëndetësorë në Gaza thanë se nga të shtënat e forcave izraelite janë plagosur tri persona.

Protesta përgjatë kufirit janë mbajtur gjatë gjithë javës. Organizatorët kanë thënë se protestat kishin për qëllim që të rrisnin presionin ndaj Izraelit për të hequr bllokadën në territorin palestinez. Izraeli dhe Egjipti janë përgjegjës për ruajtjen e bllokadës, që prej se Hamasi mori kontrollin e Gazës përmes një grusht-shteti dhe më pas fitoi zgjedhjet palestineze. Izraeli dhe Hamasi që atëherë kanë zhvilluar katër luftëra dhe konflikti i fundit ishte në muajin maj. Bllokada kufizon lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në Gaza. Ndërkaq, Egjipti po punon që armëpushimi i arritur për t’i dhënë fund luftimeve të majit, të jetë ende në fuqi dhe duket se javën e kaluar është bërë përparim në këtë drejtim.

Të paktën 260 palestinezë u vranë gjatë luftimeve në muajin maj ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, përfshirë 67 fëmijë dhe 39 gra, thuhet në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Hamasi ka pranuar se 80 militantë janë vrarë në këto luftime. Ndërkaq në Izrael, janë vrarë 12 civilë, përfshirë dy fëmijë dhe një ushtar izraelit./REL