Botë

Blinken: Talebanët janë zotuar të mos e pengojnë evakuimin edhe pas 31 gushtit

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka bërë të ditur se talebanët kanë premtuar të lejojnë të huajt dhe afganët të largohen nga Afganistani edhe pas 31 gushtit, kur edhe ishte paraparë të përfundonte kontrolli i evakuimit nga SHBA-ja.

Blinken ka thënë se Washingtoni dhe aleatët, e kanë përgjegjësinë që talebanët të mbajnë zotimin e dhënë.

Sekretari Blinken ka thënë po ashtu, se SHBA-ja kishte ende rrugë për të bërë në mënyrë që të kompletonte operacionet në aeroportin e Kabulit, deri në fund të këtij muaji.

Mijëra njerëz ndodhen ende brenda dhe jashtë aeroportit të Kabulit, me qëllim që të ikin nga Afganistani.

Deri më tani, më shumë se 82,000 persona janë evakuuar nga Kabuli, i cili ra në duart e talebanëve, dhjetë ditë më parë. Militantët ndërkohë patën kundërshtuar zgjatjen e afatit të evakuimit, të udhëhequr nga trupat amerikane.

Blinken ka deklaruar se vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë evakuar rreth 19,000 persona.

“Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të organizojnë dhe kryejnë një mision të kësaj shkalle dhe të këtij kompleksiteti”, u ka thënë gazetarëve ai.