Botë

Strategjia e Zelandës së Re në dyshim pas përhapjes së variantit Delta

Descriptive Text

Ardhja e variantit Delta shumë më infektues të koronavirusit, “ngre pyetje të shumta” në lidhje me reagimin e Zelandës së Re, ka thënë ministri zelandez përgjegjës për reagimin ndaj pandemisë COVID-19.

Ministri Chris Hipkins, ka thënë se varianti “ndryshon lojën dukshëm” dhe e bën mbrojtjen ekzistuese “të duket më pak adekuate”.

Kjo vjen pasi që Zelanda e Re ka raportuar 21 raste të reja me koronavirus.

Zelanda kishte kaluar gjashtë muaj pa asnjë rast të infeksionit. Shteti ishte përgëzuar për masat e shpejta dhe strikte në vitin 2020, që ndaluan përhapjen e virusit.

Kryeministrja e Zelandës, Jacinda Ardern, në mënyrë të vazhdueshme i është referuar shtetit si “skuadra e pesë milionëve”.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Zelandë të Re janë konfirmuar në total 3016 raste me koronavirus dhe 26 të vdekur.

Por, autoritetet kanë njoftuar për mbyllje të re në disa zona pas një rasti pozitiv me koronavirus në Auckland, rast infeksioni me variantin Delta.

Tash janë 72 raste aktive në Zelandë të Re. Shtatë shkolla në qytet kanë raportuar raste pozitive në mesin e nxënësve, dhe janë njoftuar edhe për gjashtë raste infeksioni në kryeqytetin Wellington.

Autoritetet kanë paralajmëruar se mbyllja në Auckland, e paraparë të skadojë të martën, mund të vazhdohet.

Duke folur të dielën për media, ministri Hipkins ka thënë se eliminimin e virusit brenda Zelandës e kanë synim qeveria.

“Realiteti është se virusi mund të jetë infektues brenda 24 orëve pasi njëri e merr atë – dhe kjo në mënyrë të konsiderueshme e ndryshon lojën. Nënkupton se mbrojtjet ekzistuese, po fillojnë të duken më pak adekuate e më pak të forta. Kjo ngre pyetje të mëdha në lidhje me të ardhmen afatgjate të planeve tona. Në një moment ne duhet të fillojmë të jemi më të hapur në të ardhmen”, ka thënë ministri Hipkins.

Sipas uebfaqes së Ministrisë së Shëndetësisë së Zelandës së Re, deri të enjten më tepër se 960 mijë persona kanë marrë dy doza të vaksinës, ndërsa 1.7 milionë kanë marrë një dozë. Zelanda ka popullatë afro 5 milionë banorë. Por kritikët kanë vënë në pyetje ritmin e ngadalshëm të vaksinimit në Zelandë.