Botë

India miraton të parën vaksinë anti-COVID në botë me bazë ADN-në

Rregullatori indian për Ilaçe i ka dhënë miratimin për përdorim emergjent ndaj COVID-19 vaksinës së parë në botë që për bazë ka ADN-në.

Vaksina “ZyCoV-D”, që duhet të administrohet në tri doza, gjatë fazës testuese është raportuar se ka parandaluar simptomat e sëmundjes deri në një shkallë prej 66 për qind mes marrësve të saj.

Kompania prodhuese “Cadila Healthcare” ka bërë të ditur se ka ndërmarrë testime masive klinike për vaksinën në Indi, duke përfshirë 28 mijë vullnetarë në më shumë se 50 qendra.

Sipas kompanisë, kura ka rezultuar e sigurt dhe efikase edhe mes fëmijëve, andaj dhe mund të administrohet te të rriturit dhe fëmijët prej 12 vjeç e sipër. Ndërkaq, besohet se është efikase edhe në neutralizimin e suksesshëm të variantit më të përhapshim, Delta, të virusit.

Vaksinat e testuara më herët me bazë ADN-së janë dëshmuar efikase mes kafshëve, por jo edhe te njerëzit.

Kurat që janë aktualisht në përdorim për luftimin e COVID-19 janë kryesisht në bazë të ARN-së.

“ZyCoV-D” e përdor një sekuencë të materialit gjenetik të virusit që u jep informacione qoftë ADN-së apo ARN-së për të prodhuar proteinën specifike që sistemi imunitar e njeh dhe i kundërpërgjigjet.