Botë

SHBA-ja krijon task-forcë për identifikimin e amerikanëve në Afganistan

Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar për krijimin e një task-force që do të asistojë në zbulimin e lokacionit dhe në ofrimin e udhëzimeve për secilin shtetas amerikan që ndodhet në Afganistan dhe dëshiron të largohet. Përveç amerikanëve, shërbime të ngjashme kjo task-forcë do t’u ofrojë edhe afganëve dhe të huajve të tjerë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se deri më tani të paktën 13 shtete janë pajtuar që t’i pranojnë përkohësisht afganët e rrezikuar, ndërsa me dhjetëra të tjera janë ofruar për t’u bërë pika transiti për të evakuuarit, përfshirë amerikanët dhe të tjerët.

Blinkeni ka thënë se refugjatët afganë së cilëve ende nuk u është qartësuar vendosja në SHBA, do të orientohen drejt Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Kanadasë, Kolumbisë, Kostarikës, Kilit, Meksikës, Polonisë, Katarit, Ruandës, Ukrainës dhe Ugandës.

Ndërsa si shtete transitore do të jenë Bahrejni, Britania e Madhe, Danimarka, Gjermania, Italia, Kazakistani, Kuvajti, Katari, Taxhikistani, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani.