Botë

Vrasjet e shënjestruara talebane ushqejnë frikën në Afganistanin kaotik

Raportimet për ekzekutimet e shënjestruara talebane kanë thelluar frikën e qytetarëve nga kthimi i Afganistanit në qeverisjen e dikurshme strikte islamike, me gjithë thirrjen e grupit militant adresuar imamëve për unitet gjatë lutjeve të së premtes.

Të tmerruar nga abuzimet e de facto sunduesve të rinj, me mijëra afganë mbushën aeroportin e Kabulit dhe pikëkalimet kufitare.

Një grup grash afgane janë xhiruar tek u përgjerohen ushtarëve të huaj për largim nga vendi, ndërsa talebanë shkrepin të shtëna midis një turme tjetër kaotike në aeroport.

Frika mbërtheu afganët pasi një raport i “Amnesty International” zbardhi dëshmi që bien ndesh me pretendimin e talebanëve se kanë ndryshuar.

Grupi për të drejtat e njeriut i shpalosi të dhënat e dëshmitarëve në krahinën Gazni, të cilët thanë se militantët i ekzekutuan 9 burra të një fshati midis 4 dhe 6 korrikut. Në raport specifikohet se 6 nga këta burra janë qëlluar dhe 3 janë torturuar deri në vdekje.

Ndërsa grupi “Reporterët pa kufij” shprehu alarmin rreth vrasjes së një familjari të gazetarit afgan të agjencinë gjermane “Deutsche Welle”. Këtë rast grupi e cilësoi si konfirmim të frikës më të keqe.

Karshi përkeqësimit të situatës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës hasën në vështirësi për ta mbajtur ritmin e planifikuar të evakuimit të shtetasve të tyre dhe afganëve bashkëpunëtorë. Derisa disa vende evropiane i vazhduan operacionet e largimit të shtetasve të tyre dhe të afganëve që kanë punuar për ta.

Deri më tani, më shumë se 18 mijë persona raportohet se janë evakuuar nga Kabuli, ndërsa një zyrtar i lartë i NATO-s konfirmoi se Aleanca do t’i përshpejtojë operacionet e evakuimit pas kritikave rreth mënyrës së menaxhimit me krizën.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e mbajti të premten një takim me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë për ta diskutuar çështjen e Afganistanit, rreth së cilës dy liderët kanë qëndrime të kundërta. Merkeli e kishte përshkruar kthimin e talebanëve në pushtet si gjë të hidhur, përderisa Rusia shpërfaqi qëndrime më të vakëta.

Ritmi i shpejtë i rënies së Afganistanit në duart e talebanëve nxiti kritika të ashpra në adresë të presidentit amerikan, Joe Biden, pas vendimit të tij për tërheqjen përfundimtare të trupave deri më 31 gusht.