Botë

Një miliard fëmijë në “rrezik ekstrem” nga efektet e krizës klimatike

Pothuajse gjysma e 2.2 miliardë fëmijëve të botës përballen me “rrezik jashtëzakonisht të lartë” nga efektet e krizës klimatike dhe ndotjes, ka treguar të premten një raport i përpiluar nga UNICEF-i.

Agjencia e OKB-së e ka cilësuar gjendjen si “paimagjinueshëm të rëndë”. Pothuajse çdo fëmijë përreth botës tani rrezikohet nga së paku një prej këtyre efekteve, përfshirë vapën enorme, përmbytjet, ciklonet, sëmundjet, thatësinë dhe ndotjen e ajrit.

Raporti cek se 1 miliard fëmijë jetojnë aktualisht në 33 shtete që përballen me tri deri në katër efekte të tilla krejt njëherësh.

Sipas tij, rreth 920 milionë fëmijë jetojnë me mungesë të vazhdueshme të ujit të pijshëm, 830 milionë ballafaqohen me valë të padurueshme të vapës dhe mbi 600 milionë rrezikohen nga sëmundjet si malaria dhe ethet tropikale.

Pos kësaj, raporti i UNICEF-it alarmon se efektet e krizës klimatike pritet që të përkeqësohen gjatë viteve në vijim.