Botë

Muxhahedinët kërkojnë ndihmë për t’u rezistuar talebanëve në Afganistan

Lideri i Frontit Kombëtar të Rezistencës të Afganistanit, Ahmad Massoud, i ka bërë thirrje SHBA-së dhe aleatëve të saj që të vazhdojnë të ndihmojnë luftimin e talebanëve në Afganistan.

Massoud ka thënë se ai me luftëtarët muxhahedinë, por edhe me një numër të ushtarëve afganë janë të gatshëm të përballen me talebanët dhe se ai po shkruan nga Lugina Panjshir. Por, ai ka thënë se logjistika dhe forcat ushtarake që kanë nuk mjaftojnë dhe i ka bërë thirrje Perëndimit që t’i furnizojë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Po shkruaj nga Lugina Panjshir sot, i gatshëm për të shkuar hapave të babait tim, me luftëtarët muxhahedinë që janë sërish të gatshëm të përballen me talebanët. Ne kemi magazina municionesh dhe armësh që i kemi mbledhur me durim që nga koha e babait tim, sepse e dinim që kjo ditë do të mund të vinte. Ne gjithashtu kemi armët që janë mbajtur nga afganët që, gjatë 72 orëve të fundit, i janë përgjigjur thirrjes sime për t’iu bashkuar rezistencës në Panjshir. Ne kemi ushtarë nga ushtria e rregullt afgane të cilët janë neveritur nga dorëzimi i komandantëve të tyre dhe tani po ikin në kodrat e Panjshirit me pajisjet e tyre. Ish-anëtarët e Forcave Speciale Afgane gjithashtu i janë bashkuar luftës sonë. Por kjo nuk mjafton. Nëse kryekomandantët talebanë fillojnë një sulm, ata natyrisht do të përballen me një rezistencë të fortë nga ne. Flamuri i Frontit Kombëtar të Rezistencës do të valojë mbi çdo pozicion që ata përpiqen ta marrin, siç ka valuar Flamuri i Frontit Nacional Kombëtar 20 vjet më parë., Megjithatë ne e dimë se forcat tona ushtarake dhe logjistika nuk do të jenë të mjaftueshme. Ato do të varfërohen nëse miqtë tanë në Perëndim nuk gjejnë një mënyrë për të na furnizuar pa vonesë”, ka shkruar Massoud në një opinion për Washington Post.

Babai i Massoudit ishte komandanti muxhahedinë Ahmad Shah Massoud, i cili kishte luftuar talebanët derisa vdiq në shtator të vitit 2001.

“Në vitin 1998, kur isha 9-vjeçar, babai im, komandanti muxhahedin Ahmad Shah Massoud, mblodhi ushtarët e tij në një shpellë në Luginën Panjshir në veri të Afganistanit. Ata u ulën dhe dëgjuan ndërsa një shok i babait tim, filozofi francez Bernard-Henri Levy, iu adresua atyre. ‘Kur ju luftoni për lirinë e juaj, luftoni edhe për lirinë tonë’”, tregon Massoudi. “Babai im kurrë nuk e harroi këtë ndërsa luftoi kundër regjimit taleban. Deri në momentin kur u vra më 9 shtator të vitit 2001, me urdhër të talebanëve dhe al-Qaedas, ai po luftonte për fatin e Afganistanit, por edhe për Perëndimin”.

Massoud ka thënë se pavarësisht se çfarë ndodhë ai dhe ushtarët e tij muxhahedinë do të jenë bastioni i fundit i lirisë afgane. Ai thotë se është luftuar aq gjatë për një shoqëri të hapur në Afganistan. Po ashtu thotë se talebanët nuk përbëjnë rrezik vetëm për afganët, por për gjithë botën.

“SHBA-ja dhe aleatët e saj janë larguar nga fushëbeteja, por Amerika ende mund të jetë një ‘arsenal i madh i demokracisë’, siç tha Franklin D. Rossevelt kur i erdhi në ndihmë britanikëve të rrethuar para futjes së SHBA-së në Luftën e Dytë Botërore. Për këtë qëllim, unë i lus miqtë e Afganistanit në Perëndim të ndërmjetësojnë për ne në Washington dhe New York, me Kongresin dhe administratën e Joe Bidenit. Ndërmjetësoni për ne në Londër, ku përfundova studimet, dhe në Paris, ku kujtimi i babait tim u nderua këtë pranverë duke emëruar një shteg për të në kopshtet e Champs-Elysees. Dijeni se miliona afganë ndajnë vlerat tua. Ne kemi luftuar për aq gjatë për të pasur një shoqëri të hapur, një shoqëri ku vajzat mund të bëhen mjeke, ku mediat mund të raportojnë lirshëm, ku të rinjtë mund të vallëzojnë dhe dëgjojnë muzikë apo të ndjekin ndeshjet e futbollit në stadiumet të cilat talebanët dikur i përdornin për ekzekutime publike dhe mund së shpejti ta bëjnë sërish këtë. Talebanët nuk janë problem vetëm për popullin afgan. Nën kontrollin e talebanët, Afganistani pa dyshim do të bëhet fushë për terrorizmin e islamit radikal, komplotet kundër demokracive do të krijohen sërish këtu”, ka shkruar Massoud. “Pavarësisht se çfarë ndodh, luftëtarët e mi muxhahedinë dhe unë do ta mbrojmë Panjshirin si bastionin e fundit të lirisë afgane. Morali ynë është i paprekur. Ne e dimë çfarë na pret nga përvojat. Por ne kemi nevojë për më shumë armë, më shumë municione e më shumë furnizime. Amerika dhe aleatët demokratikë nuk e kanë të përbashkët me afganët vetëm luftën kundër terrorizmit. Tash kemi një histori të gjatë të përbërë nga idealet e luftimet e përbashkëta. Ende ka shumë gjëra që mund të bëni për të ndihmuar kauzën e lirisë. Po ju jeni shpresa e vetme e mbetur”.