Botë

BE-ja në bisedime të krizës, akuzon Bjellorusinë për “luftë hibride” me emigrantë

Descriptive Text

Shërbimi i gardës kufitare lituane ka publikuar të mërkurën disa videoxhirime, në të cilat thuhet se shfaqen emigrantët që orientohen drejt kufirit të territorit të BE-së nga policia bjelloruse. Një tjetër video shfaq disa persona tek kalojnë në Lituani dhe kthehen menjëherë për t’i xhiruar nga zyrtarët bjellorusë

Ministrat e Bashkimit Evropian kanë zhvilluar bisedime urgjente të mërkurën në përgjigje ndaj pretendimeve se Bjellorusia është duke dërguar qëllimisht emigrantë drejt Lituanisë, si pjesë e një fushate të “luftës hibride” për destabilizimin e vendit baltik anëtar të bllokut.

Ministrat kanë zhvilluar një videokonferencë në të ashtuquajturin format të “përgjigjes së integruar për krizën politike”. Takimet e tilla rëndom thirren për organizimin e përgjigjes ndaj katastrofave natyrore apo sulmeve terroriste. Në to marrin pjesë përfaqësues të rrafshit të politikave të jashtme, zyrtarët kufitarë, ata të azilit dhe të zbatimit të ligjit.

Lëvizja e njerëzve përgjatë kufirit midis Bjellorusisë dhe Lituanisë është ngritur në mënyrë dramatike qëkur BE-ja u ka zbatuar sanksione zyrtarëve bjellorusë. Masa është zbatuar pasi që presidenti Alexander Lukashenko e urdhëroi shtypjen e kundërshtarëve dhe protestuesve të ngritur kundër fitores së tij në zgjedhjet e vitit të shkuar që Perëndimi i kategorizoi si të manipuluara. Rivalja e tij kryesore në zgjedhje ka ikur që atëherë në Lituani.

Synimi i takimit të së mërkurës “është që të përcaktohen masat konkrete dhe format e asistencës për vendet e prekura rreth menaxhimit dhe frenimit të kalimeve ilegale në kufirin me Bjellorusinë, në aspektin e sigurisë në këtë pjesë të kufirit të jashtëm të BE-së”, është bërë e ditur nga Presidenca sllovene e BE-së.

Videokonferenca është organizuar pasi Polonia ka vendosur afro 1.000 trupa përgjatë kufirit të saj me Bjellorusinë, për të ndihmuar në përballimin e fluksit të emigrantëve – kryesisht nga Iraku – që po përpiqen të hyjnë në vend.

Më shumë se 4.100 emigrantë kanë mbërritur në Lituani gjatë këtij viti dhe janë duke u strehuar nëpër kampe të përkohshme përgjatë vendit.

Shërbimi i gardës kufitare lituane ka publikuar të mërkurën disa videoxhirime, në të cilat thuhet se shfaqen emigrantët që orientohen drejt kufirit të territorit të BE-së nga policia bjelloruse. Një tjetër video shfaq disa persona tek kalojnë në Lituani dhe kthehen menjëherë për t’i xhiruar nga zyrtarët bjellorusë.

Pas bisedimeve me kryeministren lituane, Ingrida Simonyte, presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli, ka akuzuar të mërkurën Lukashenkon, i njohur si diktatori i fundit i Evropës, për “eksploatimin e këtyre njerëzve të gjorë, burra dhe gra”.

Gjatë takimit kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministrja estoneze Kaja Kallas akuzuan Lukashenkon për ndërmarrjen e një “sulmi hibrid” ndaj bllokut 27-anëtarësh nëpërmjet kanalizimit të emigrantëve drejt Lituanisë, Letonisë, Estonisë dhe Polonisë, në kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të BE-së.

“Jemi pajtuar se ky është një agresion hibrid që i përdor qeniet njerëzore”, ka thënë Merkeli pas bisedimeve në Berlin. Kallas ndërkaq ka thënë se “kjo nuk është krizë refugjatësh, por një sulm hibrit ndaj Bashkimit Evropian”.