Botë

Talebanët në konferencë: Nuk duam armiq, i kemi falur ata që na luftuan

Shefi i zyrës politike të talebanëve , Mullah Baradar, ka arritur në Afganistan dhe pritet të adresohet në një konferencë para mediave.

Ndërkaq zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, ka thënë se “pas 20 vitesh luftimesh ne e kemi emancipuar vendim dhe i kemi dëbuar të huajt”.

“Ky është një moment krenarie për të gjithë vendin”, ka thënë ai, raporton BBC.

“Duam të sigurohemi se Afganistani nuk është më një fushëbetejë konflikti. I kemi falur të gjithë ata që kanë luftuar kundër nesh. Armiqësitë kanë arritur fundin. Nuk duam armiq të jashtëm apo të brendshëm”, ka thënë ai.

Tutje ka shtuar se nuk duan kaos në Kabul.

“Plani ynë ishte të ndalemi në portat e Kabulit ashtu që procesi i tranzicionit do të përfundonte qetë. Por, fatkeqësisht qeveria e kaluar ishte shumë e paaftë... forcat e tyre të sigurisë nuk arritën të bënin asgjë për çështjen e sigurisë. Ne duhet të bënim diçka. Duhet të futeshim në Kabul që t’i siguronim qytetarët”, ka thënë zëdhënësi.

“I kemi falur të gjithë në dobi të stabilitetit dhe paqes në Afganistan”, ka thënë Mujahid.

“Ata që kanë humbur jetët si rezultat i luftës për armikun, është me fajin e tyre. Kemi mbizotëruar gjithë vendin për pak ditë. Pas formimit të qeverisë, gjithçka do të bëhet e qartë”, shtoi ai.