Botë

Malala kërkon t’u hapen kufijtë refugjatëve afganë

Nobelistja e çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, u ka bërë thirrje vendeve që t'i hapin kufijtë e tyre për refugjatët afganë, pas rënies së qeverisë nga talebanët. Aktivistja pakistaneze është e njohur për reagime ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut. E njëjta ishte qëlluar në kokë nga militantët talebanë në vitin 2012 pasi kishte bërë fushatë për arsimimin e vajzave.

“Njerëzit thjesht po ikin, ata po gjejnë një mënyrë për ta mbajtur veten të sigurt. Pra, kur e shihni këtë, kuptoni se kjo është në të vërtetë një krizë urgjente humanitare”, ka thënë ajo për BBC.

Talebanët të dielën kanë pushtuar edhe kryeqytetin afgan Kabulin dhe kanë marrë në dorë pushtetin atje. Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamje se si banorët afganë kanë kërkuar të ikin sa më parë nga pushteti i ri.