Botë

Vërshimet në Japoni: Gati dy milionë banorëve u thuhet të evakuohen

Descriptive Text

Gati dy milionë qytetarëve u është thënë të evakuohen nga shtëpitë e tyre pas reshjeve të mëdha të shiut në disa pjesë të Japonisë, njofton BBC.

Janë lëshuar paralajmërime për nivele të larta të shiut në një numër të prefekturave, përfshirë Fukuoka e Hiroshima.

Një grua ka vdekur, ndërsa bashkëshorti dhe vajza e saj ende mbesin të zhdukura, pasi rrëshqitja e dheut ka shkatërruar dy shtëpi në prefekturën e Nagasakit.

Më tepër se 150 trupa, policë dhe zjarrfikës janë dërguar për të ndihmuar në operacionin e kërkim-shpëtimit në këto zona.

“Ata janë shumë të kujdesshëm në kërkim të banorëve që rezultojnë të zhdukur, ndërsa po kujdesen nga rrëshqitjet e mëtejshme të dheut ndërsa shiu po vazhdon”, ka thënë një zyrtar lokal për agjencinë “AFP”.

Pjesa perëndimore e Japonisë është prekur më së rëndi dhe po pritet shi i madh edhe në ditët në vijim.

Në prefekturën Saga, janë evakuuar pacientët nga një spital, duke u dërguar në katin më të lartë të shtunën, pasi lumi Rokkaku ka dal nga shtrati dhe ka vërshuar ndërtesat.

Në total, janë lëshuar paralajmërime për evakuim jo të detyrueshëm për më tepër se 1.8 milionë banorë në shtatë prefektura.

Yushi Adachi, nga agjencia japoneze e meteorologjisë, i ka përshkruar reshjet e shiut që kanë kapluar vendin si të “paprecedent”.