Botë

Rritet bilanci: Së paku 44 të vdekur nga përmbytjet masive në Turqi

Bilanci i të vdekurve nga përmbytjet masive në Turqi ka arritur të shtunën në së paku 44, teksa ekipet e emergjencave kanë vazhduar kërkimet për viktima dhe të mbijetuar të mundshëm në zonat e goditura përreth Detit të Zi.

Ministria e Shëndetësisë ka raportuar për së paku 36 të vdekur në krahinën Kastamonu, shtatë në Sinop dhe një në Bartin. Por, autoritetet kanë paralajmëruar për rrezikun e rritjes së mëtutjeshme të shifrës së fataliteteve përderisa kërkimet për të pagjeturit ende po vazhdojnë.

Gjatë vizitës në zonat e prekura, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është zotuar t’u sigurojë kompensime të gjithë të goditurve nga katastrofa e dytë natyrore e vendit, brenda pak javësh.

Për më shumë se dy javë Turqia është përballur me flakë të fuqishme nëpër viset malore.

Erdogani ishte përballur me kritika të ashpra nëpër rrjetet sociale, pasi ishte shfaqur tek u ndante qese çaji banorëve lokalë, gjatë vizitës së tij në njërën prej zonave të zjarrit në fund të korrikut.