Botë

SHBA-ja jep alarmin për sulme të mundshme terroriste në prag të 20-vjetorit të 11 shtatorit

Descriptive Text

Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka dhënë alarmin për kërcënim të mundshëm terrorist prej faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, në prag të 20-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Në buletinin e porsapërpiluar të sigurisë, Departamenti ka bërë të ditur se SHBA-ja ndodhet në një “mjedis të kërcënimit në rritje” që është ushqyer nga lodhja prej masave për frenimin e përhapjes së COVID-19 dhe nga ekstremistët e motivuar prej urrejtjes racore dhe etnike. Buletini përmend gjithashtu publikimin e kopjes së parë pas katër vjetësh të revistës në anglishte të grupit terrorist “Al-Qaeda”, njëherësh përgjegjës për sulmet më të rënda terroriste në historinë e SHBA-së.

Me këtë është tërhequr vërejtja se si organizata terroriste po i vazhdon përpjekjet për rekrutimin e ekstremistëve në vend. Andaj, Departamenti ka paralajmëruar se përvjetori dhe festat pasuese fetare mund të shërbejnë si katalizator për akte të shënjestruara të dhunës.