Botë

8-vjeçari në Pakistan lirohet nga akuzat për blasfemi

Policia në Pakistan e ka liruar nga akuzat për blasfemi 8-vjeçarin, pas presionit të qeverisë dhe mediave për arrestimin e tij.

Djaloshi, më i riu në Pakistan që është akuzuar për krim, akuzohej se qëllimisht ka urinuar mbi një qilim në bibliotekën e një medreseje, ku mbahen libra fetarë, në korrik.

Lirimi i tij me kusht nxiti një sulm ndaj një tempulli hindu nga një turmë myslimane në distriktin konservator të Rahim Yar Khan, në Punjab.

Këshilltari i kryeministrit pakistanez, Tahir Mehmood Ashrafi, ka thënë se akuzat kanë qenë të pabaza.

Tempulli hindu është riparuar nga qeveria dhe përmes një ceremonie i është dorëzuar komunitetit hindu. Dhjetëra persona u arrestuan për sulm drejt tempullit dhe u është thënë se duhet të paguajnë për dëmet që i kanë shkaktuar.

Djali dhe familja e tij po fshihen dhe janë nën mbrojtjen e policisë për shkak të frikës për sulme të tjera.