Botë

Përmbytje në veri të Turqisë, një i vdekur e disa të zhdukur

Reshjet e dendura kanë shkaktuar përmbytje dhe shembje të dheut në veri të Turqisë të mërkurën. Dy persona janë të zhdukur, disa janë lënduar dhe veturat janë bartur nga rrugët. Helikopterët janë ngritur për të shpëtuar njerëzit që ishin bllokuar nëpër çati, kanë thënë zyrtarët.

Presidento Recep Tayyip Erdogan ka thënë se të paktën një person ka vdekur dhe disa të tjerë janë të zhdukur, por nuk dha numër të saktë të tyre. 

Nga ana tjetër, Turqia është përballur me zjarre të mëdha në disa zona turistike dhe të tjera. Të paktën tetë persona dhe dhjetëra kafshë kanë vdekur si dhe mijëra njerëz janë shpërngulur gjatë mbi 200 zjarreve që nga 28 korriku në Turqi, transmeton AP.

Zona më e goditur nga përmbytjet është Kastamonu, ndërkaq zyra e guvernatorit të saj ka mohuar raportimet se përmbytjet u shkaktuan nga shpërthimi i një dige aty pranë.

“Brenda 10 minutash, gjithçka u përmbyt”, ka thënë pronari i një restoranti, Nuri Ersoz.

Evakuimet dhe kërkimet për të mbijetuar janë duke vazhduar, ndërsa ushtria po përpiqet të dërgojë atje sa më shumë helikopterë për të zhvendosur banorët.