Botë

Nën presionin e ligjit, Cuomo jep dorëheqje rreth abuzimeve seksuale

Në adresimin televiziv prej 20 minutash, guvernatori 63-vjeçar i New Yorkut, Andrew Cuomo, ka thënë se dorëheqja e tij do të hyjë në fuqi brenda 14 ditësh, në fillimin e rënies së një burri që dikur ishte konsideruar si pretendent i mundshëm për president të SHBA-së

I përballur me presion të shtuar ligjor dhe me kërkesat për largim nga presidenti Joe Biden dhe të tjerët, guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo, ka dhënë dorëheqje të martën pas një hetimi që konfirmoi se i kishte abuzuar seksualisht 11 gra.

Në adresimin televiziv prej 20 minutash, 63-vjeçari Cuomo ka thënë se dorëheqja e tij do të hyjë në fuqi brenda 14 ditësh, në fillimin e rënies së një burri që dikur ishte konsideruar si pretendent i mundshëm për president të SHBA-së.

Demokrati, i cili ka shërbyer qysh nga viti 2011 si guvernatori i shtetit më të populluar amerikan, e shpalosi dorëheqjen rreth një javë pasi që kryeprokurorja e New Yorkut, Letitia James, i publikoi rezultatet e një hetimi të pavarur pesëmujor, që konstatoi se ai ishte përfshirë në veprime që bien ndesh me ligjet shtetërore dhe ato të SHBA-së.

Cuomo përsëri i hodhi poshtë akuzat për keqbërje, ndonëse ka thënë se e pranon “të gjithë përgjegjësinë” për ofendimin e grave nëpërmjet atyre që ai i karakterizoi si përpjekje të keqkuptuara për të qenë i dhembshur dhe në humor.

Ai ka thënë se ka vendosur që luftimi i akuzave derisa është në detyrë do ta paralizonte Qeverinë e shtetit dhe do t’u kushtonte taksapaguesve me miliona dollarë, në kohën kur pandemia e koronavirusit ende përbën kërcënimin më të madh.

“Mendoj se, duke i pasur parasysh rrethanat, mënyra më e mirë se si mund të ndihmoj është nëse jap dorëheqje dhe e lë Qeverinë që t’i kthehet qeverisjes – dhe prandaj kjo është gjëja që do të bëj”, ka thënë ai.

Hetimi, i shpalosur hollësisht në një raport prej 168 faqesh, ka zbuluar se Cuomo ka prekur, puthur dhe ka bërë komente sugjestive ndaj disa grave, përfshirë nëpunëset e dikurshme dhe aktuale të Qeverisë, ndërkaq u është hakmarrë së paku njërës prej atyre që e kanë akuzuar për abuzim seksual.

Dorëheqja e shpëtoi Cuomon nga shkarkimi i mundshëm prej detyrës nëpërmjet procesit të impiçmentit në legjislaturën shtetërore të kontrolluar prej demokratëve, teksa është izoluar dhe braktisur edhe nga vetë bashkëpartiakët e tij.

Zëvendësguvernatorja Kathy Hochul, një demokrate nga perëndimi i New Yorkut, do ta marrë drejtimin e shtetit me më shumë se 19 milionë banorë deri në fund të mandatit të Cuomos në dhjetorin e 2022-s - siç edhe parashihet me Kushtetutën e shtetit - duke u bërë gruaja e parë që e mban këtë post.

Dorëheqja e Cuomos e shënon rastin e dytë në rreth 13 vjet që një guvernator i New Yorkut tërhiqet si pasojë e skandalit. Më 2008, Eliot Spitzer kishte dhënë dorëheqje si pasojë e patronazhit të tij me prostituta. Cuomo është bërë gjithashtu figura më e fundit e pushtetshme që jep dorëheqje viteve të fundit, pas nisjes së lëvizjes shoqërore #MeToo kundër abuzimeve dhe keqtrajtimeve seksuale që dridhen skenën politike, Hollywoodin dhe botën e biznesit.