Botë

Hezbollahu e Izraeli shkëmbejnë raketa midis tensioneve me Iranin

Grupi libanez i përkrahur nga Irani, Hezbollah, ka lansuar të premten një sërë raketash në drejtim të forcave izraelite. Kjo gjë ka nxitur sulme hakmarrëse nga Izraeli drejt Libanit Jugor, në ditën e tretë të përleshjeve ndërkufitare në kohën e tensioneve rajonale me Iranin.

Hezbollahu ka bërë të ditur se ka vënë në shënjestër një zonë të hapur afër pozicioneve të forcave izraelite, në kundërpërgjigje ndaj sulmeve ajrore të Izraelit. Në anën tjetër, ushtria izraelite ka njoftuar se nuk e synon përshkallëzimin e situatës në luftë të përmasave të plota, porse ka bërë të ditur se është e gatshme për të.

Tensionimet e pasuan sulmin e pretenduar iranian mbi një cisternë nafte të menaxhuar nga Izraeli në Gji, gjatë javës së shkuar. Ushtria izraelite ka njoftuar se sistemi raketor i vendit ka pritur 10 nga 19 raketat e hedhura nga Hezbollahu të premten.

Nuk ka pasur raportime për viktima apo dëme të rënda nga tri ditët e sulmeve ajrore, të parat pas një periudhe të konsiderueshme të paqes relative që nga lufta njëmujore Izrael-Hezbollah më 2006.