Botë

Gjermania, Franca dhe SHBA-ja kundër OBSH-së, vazhdojnë me dozat e treta

Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se do ta vazhdojnë administrimin e dozës së tretë përforcuese të vaksinave kundër COVID-19 nga shtatori, duke e shpërfillur thirrjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për moratorium në këtë proces.

Presidenti, Emmanuel Macron, ka thënë se Franca do ta vazhdojë administrimin e dozës së tretë mes të moshuarve dhe më të rrezikuarve nga sëmundja. Ministria gjermane e Shëndetësisë gjithashtu është zotuar për vazhdimin e procesit.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë thirrjen e OBSH-së, duke pretenduar se vendet nuk duhet të zgjedhin midis dozave të treta dhe dhurimit të vaksinave për vendet e varfra.

OBSH-ja ka bërë thirrje të mërkurën që të ndërpritet të paktën deri në fund të shtatorit administrimi i dozave përforcuese kundër koronavirusit, me qëllim që vendet me shkallë të lartë të imunizimit të ndajnë doza me ato që përballen me mungesa në furnizim dhe që si rrjedhojë kanë numër të ulët të të vaksinuarve.