Botë

Arrestohet në Madrid udhëheqësi i grupit kriminal italian “Ndrangheta”

Descriptive Text

Udhëheqësi i një prej klaneve më të fuqishme të mafias në Itali “Ndrangheta”, i cili kontrollon pjesën më të madhe të tregut të kokainës në Evropës, është arrestuar të enjten në Spanjë.

Domenico Paviglianiti, një prej personave më të kërkuar në Itali, është arrestuar në rrugët e Madridit, kanë bërë të ditur autoritetet zyrtare.

I quajtur “Shef i shefave”, Paviglianiti, 60-vjeçar, ishte në arrati për dy vjet të tëra.

Klani “Ndrangheta” është një prej grupeve më të pasura kriminale në botë, i cili operon nga Kalabria, në jug të Italisë.

Arrestimi i Paviglianitit është bërë i mundshëm falë një bashkëpunimi të ngushtë mes policisë italiane dhe asaj spanjolle.

Paviglianiti kishte me vete gjashtë telefona mobil, afro 6,000 dollarë kesh dhe dokumente të falsifikuara portugeze, në momentin që është arrestuar derisa po dilte nga shtëpia ku po qëndronte.

I kërkuar për lidhjen me krime të kryera në vitet 1980 dhe 1990, duke përfshirë edhe akuzat për vrasje dhe trafikim me drogë, Paviglianiti ishte arrestuar për herë të parë në Spanjë, në vitin 1996.

Tri vjet më vonë ai ishte ekstraduar në Itali ku i ishte shqiptuar dënimi me burg. Mirëpo në vitin 2019 ai ishte liruar si pasojë e një gabimi në dënimin e tij. Ai kishte fluturuar pas kësaj për në Spanjë, ku mendohet se ishte ndihmuar nga familjarët të cilët jetojnë atje.