Botë

Republikanët shtyjnë votimin për shfuqizimin e “Obama Care”

Udhëheqësit republikanë të Senatit shtynë votimin për planin e tyre për të ndryshuar sistemin e kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara ndërsa më shumë republikanë iu bashkuan demokratëve për të kundërshtuar projektligjin.

Zërat kundërshtarë u rritën ndërsa zyra jo-partiake e Kongresit për buxhetin vlerësoi të hënën se 22 milionë amerikanë do të humbasin sigurimin shëndetësor gjatë dekadës së ardhshme, nëse plani për të shfuqizuar dhe zëvendësuar të ashtuquajturin ObamaCare do të hynte në fuqi.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch McConnell këmbënguli se përpjekjet do të vazhdojnë për të përmirësuar projektligjin me shpresat për të tërhequr më shumë mbështetje ndaj tij.

"Ne do të vazhdojmë të diskutojmë mes nesh për dallimet që kemi, do të vazhdojmë të përpiqemi të komunikojmë. Rrjedhimisht, nuk do të votojmë për këtë projektligj por po punojmë ende për të sjellë të paktën 50 senatorë në mbështetje të planit."

Të 52 senatorët republikanë shkuan në Shtëpinë e Bardhë të martën për t’u takuar me Presidentin Donald Trump, i cili i inkurajoi ata të përmbushin zotimin e tyre për të shfuqizuar ligjin ObamaCare që njihet si një nga arritjet më të mëdha legjislative të ish presidentit Barak Obama.

"Po i afrohemi synimit, por vendi duhet të ketë një kujdes shëndetësor dhe ky nuk mund të jetë Obamacare, që po falimenton. Demokratët thanë shumë gjëra edhe para se ta dinin si ishte formuluar projekt-ligji. Do të ishte shumë mirë në se e miratonim. Në se nuk e arrijmë këtë do të jetë diçka që nuk do të na pëlqente dhe nuk ka problem. Kemi shansin të bëjmë diçka shumë, shumë të rëndësishme për publikun, shumë shumë të rëndësishme për njerëzit e këtij vendi që duam", tha presidenti.

Plani i republikanëve i jep fund detyrimit që shumica e amerikanëve duhet të blejnë sigurim shëndetësor ose të përballen me gjobë, eliminon në faza subvencionet e qeverisë për të ndihmuar njerëzit me të ardhura të ulta të blejnë sigurim shëndetësor dhe vendos shkurtime të thella të Medicaid-it, programit qeveritar të kujdesit shëndetësor për të varfrit dhe invalidët.

Republikanët e moderuar i kundërshtojnë shkurtimet e propozuara për programin Medicaid, ndërsa konservatorët thonë se projekt-ligji lë të paprekura shumë klauzola të sistemit të tanishëm.

Demokratët e kanë kritikuar gjithashtu projekligjin për shkurtimin e propozuar të taksave nga të cilat përfitojnë amerikanët e pasur, që është një mekanizëm i rëndësishëm i financimit të sistemit Obamacare.

"Arsyeja kryesore që ky projekligj po dështon është sepse amerikanët nuk e pëlqyen. Ai nuk mishëron vlerat tona. Tani na thoni ‘a do të punoni me kolegët tuaj republikanë?’. Duam të punojmë. Kemi sygjerimet tona. Së pari hiqni dorë nga shkurtimi i taksave për të pasurit, hiqni dorë nga shkurtimet për programin Medicaid, hiqni dorë nga shfuqizimi i ligjit. Më pas ne mund të ulemi të bisedojmë për ta përmirësuar kujdesin shëndetësor."

Senatorët e të dyja partive thanë se kanë marrë shumë telefonata dhe imeilla nga zgjedhësit e tyre që e kundërshtojnë projektligjin. Ditët e fundit janë arrestuar dhjetra demonstrues para ndërtesës së Kongresit.

Zoti McConnell synonte për një votim të Senatit për planin republikan këtë javë, para se Kongresi të largohet për pushimet e festës së pavarësisë më 4 korrik. Reforma e kudesit shëndetësor shihet si nyjë e rëndësishme për planet e tjera të republikanëve, përfshi ndryshimin e kodit të taksave në vend.