Botë

Mattis: Angazhimi i Amerikës ndaj NATO-s mbetet i palëkundur

Descriptive Text

Shefi i Pentagonit Jim Mattis akuzoi sot presidentin rus Vladimir Putin për “sjellje të këqija” në arenën ndërkombëtare dhe tha se angazhimi i Amerikës ndaj NATO-s mbetet i palëkundur.

Zoti Mattis i bëri komentet sot në Gjermani gjatë një veprimtarie me rastin e 70-vjetorit të Planit Marshall.

Po sot, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi se gjatë këtij viti vendet anëtare po rrisin shpenzimet për Aleancën.

Duke folur për studentët në Gjermani në përkujtim të Planit Marshall për rindërtimin e Evropës së Luftës së Dytë Botërore, sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha se Rusia ka zgjedhur të sfidojë rendin e "sigurisë dhe të paqes" të pas Luftës së Dytë Botërore, transmeton Zëri i Amerikës.

“Me sjelljet e tij të këqia përtej kufijve të Rusisë, udhëheqësi rus nuk synon të përmirësojë fatet e këtyre njerëzve apo të rindezë shpresën e tyre”, tha zoti Mattis, duke iu referuar mesa duket konfliktit në Ukrainë dhe ndërhyrjes së Moskës në procesin zgjedhor amerikan.

Vizita e zotit Mattis në Gjermani është e katërta në Evropë që kur ai u bë sekretar i mbrojtjes në muajin janar.

Partnerët e shqetësuar evropianë i kanë drejtuar sytë tek zoti Mattis për mesazhe lidhur me synimet ndërkombëtare të Amerikës pas pikëpyetjeve të ngritura nga Presidenti Donald Trump rreth aleancave të vjetra.

Por zoti Mattis theksoi sot se Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump duhet të gjykohen nga veprimet e tyre. Kreu i Pentagonit vuri në dukje vazhdimin e mbështetjes amerikane për praninë e avancuar të NATO-s në krahun e saj lindor deri në vitin 2020, për t’iu kundërvënë Rusisë.

Ai tha gjithashtu se Presidenti Trump ka kërkuar një rritje mjaft të madhe për Nismën e Sigurimit Evropian, nga 3.4 miliard dollarë vitin e kaluar në 4.8 miliard këtë vit.

“Përtej fjalëve të gazetave, ju mund ta gjykoni Amerikën nga veprime si këto,” tha zoti Mattis.

Zoti Mattis foli gjithashtu në mbështetje të Nenit 5 të Aleancës, që përbën garancinë e mbrojtjes së ndërsjellë të anëtarëve të saj. Ai tha se angazhimi i SHBA ndaj këtij neni është i hekurt.

Në të njëjtin takim, Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, vlerësoi marrëdhëniet ndëratlantike për paqen dhe qëndrueshmërinë që kanë sjellë në Evropë. Por ajo tha gjithashtu se ka ardhur koha që Evropa të bëjë më shumë për sigurinë e vet.

"Si evropianë ne duam të marrim më shumë përgjegjësi, por pa harruar asnjëherë se nga e filluam,” – tha zonja Von der Leyen. Ajo tha se Evropa duhet të "bashkojë burimet e veta" në përpjekjet për ndërtimin e një mbrojtjeje më të fuqishme.

Ajo u shpreh gjithashtu në favor të kërkesës që Gjermania të shpenzojë dy për qind të Prodhimit të Përgjithshëm për të përmbushur premtimet ndaj NATO-s.

"Duke qenë partnerë, ne duhet të kemi një ndarje të barabartë të barrës brenda NATO-s. Kjo do të thotë që ne gjermanët të bëjmë më shumë për sigurinë tonë", tha zonja Von der Leyen.

Po sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se vendet aleate, duke përjashtuar SHBA, do të rrisin shpenzimet e mbrojtjes me 4.3 përqind për këtë vit.

Zoti Stoltenberg foli përpara gazetarëve në Bruksel, në prag të një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s. Komentet vijnë në klimën e trysnive të ushtruara nga presidenti Donald Trump që aleatët të shpenzojnë më shumë për Aleancën.