Botë

Bashkëpunimi me FBI-në që çoi në burg supremacistët e bardhë

Pasi liderët e grupit i treguan Mooret-it për planin e vrasjes, FBI-ja zgjeroi rrjetin e njerëzve që mund t’i incizonte ai. FBI-ja e pajisi xhipin e Mooret-it me mjete incizimi të cilat i transmetonin bisedat direkt te agjentët

Më 30 janar të vitit 2015, më pak se dy vjet pasi Moore kishte nënshkruar betimin për klanin, ishte vënë në lëvizje plani për vrasjen.

Gomat e automjetit të Mooret-it u shpërthyen në rrugën e Newcombit. Veturën e shtyu deri te një shenjë në një vend me tela. Shfaqte një revole të drejtuar nga kalimtarët: “Paralajmërim: Këtu nuk ka asgjë për të cilën ia vlen të vdesësh”.

Moore zbuloi se Newcombit i pëlqente ideja e re që kishte për mënyrën e vrasjes së Williamsit.

“I kam disa shishe me insulinë këtu nëse dëshiron që ta bëjmë në këtë mënyrë”, thotë Newcomb. “A e kryejmë shpejt dhe zhdukemi këtejpari? Apo dëshiron ta kapim dhe ta dërgojmë diku pastaj e injektojmë me insulinë”, pyeti Newcomb.

Moore maskoi habinë e tij. Mendoi se vetëm po bënin një hulumtim, ama tani Newcomb planifikonte goditjen.

“Do të ishte më me qetësi”, thotë Newcomb, “nëse do ta kapnim dhe ta fusnim në bagazh e ta dërgonim diku. Do t’ia injektonim bythën me sasi insuline dhe do ta linim të kryente efektin e vet”.

Image
Gomat e automjetit të Mooret u shpërthyen në rrugën e Newcombit. Veturën e shtyu deri te një shenjë në një vend me tela. Shfaqte një revole të drejtuar nga kalimtarët: “Paralajmërim: Këtu nuk ka asgjë për të cilën ia vlen të vdesësh

Grepi i peshkimit

Mbidoza me insulinë është vdekje torturuese e shoqëruar me të dridhura të pakontrollueshme. Është e vështirë të vërehet nga një zyrtar i mjekësisë ligjore. Sheqeri në gjak ulet natyrshëm pas vdekjes, qoftë nëse ai është me diabet apo jo. Ndërkaq shpimi me shiringë është aq i vogël, saqë duhet një kontroll specifik, sepse nuk vërehet me sy.

“Nja dy shiringa të panevojshme i kam gati, pastaj i kemi edhe dy shishe”, thotë Newcomb.

“A është ilaç i gruas tënde?”, pyeti Moore.

Newcomb e pranoi se ilaçet ishin të sajat, mirëpo shtoi se kishte plot të tjera për të.

Iku në garazh dhe u kthye me grepin e peshkimit për fëmijë. Ishte i dekoruar me pamjet e personazhit të filmit vizatimor “Dora the Explorer”.

“Nëse duam ta kapim dhe ta dërgojmë te lumi, atij do t’i duhet një grep që të duket se ishte duke peshkuar apo jo?”, pyeti Newcomb. “Dua që të duket sa më e vërtetë”.

Po e shikonin grepin kur “Sarge” Moran e ndali veturën. Kërkoi falje për vonesën.

“Sarge, kam sjell ca insulinë. Unë dhe vëllai Joe (Moore) po bisedonim sikur ta grabitnim”, thotë Newcomb që u ndërpre nga Morani. “Tani do ta grabisim?”.

“Paj, po them që të shkojmë të shohim disa gjëra dhe nëse na vjen shansi”, thotë Newcomb.

“Do i ndjek urdhrat tuaja, çfarëdo qofshin ato”, u përgjigj Moran me zell. “Jam këtu për të shërbyer. Jam me dëshirë dhe kënaqësi”.

Tre anëtarët e klanit hipën në xhipin e Mooret-it dhe u nisën drejt autostradës me dy shirita. Kishin ftohësin e shiringave, grepin e peshkimit dhe revolen e Newcombit, të cilën e mbante mes dy këmbëve.

Heshtja kaploi automjetin teksa kaloi në rrugën e pashtruar që i shpinte drejt pyjeve të Floridës. Pastaj cingëroi telefoni i Newcombit. Zëri i së bijës së vogël ishte në linjë.

“Nuk keni nevojë të më shqetësoni sonte veç nëse është shumë, shumë e rëndësishme. OK?”, u ngrys ai. Pastaj zëri iu zbut. “Në rregull. Të dua. Pafshim!”.

Pa humbur asnjë sekondë, Newcomb iu kthye planeve të veta. Armën e mbante mes këmbëve teksa fliste.

“Ajo që po mendoja ishte nëse mund ta kapnim dhe ta dërgonim te lumi që nuk është fort larg tij”, thotë Newcomb. “Ia ulim kokën dhe e shpojmë nja dy herë, sepse i kam dy doza plot”.

“Nëse ia vendosi grepin që të duket se ishte duke peshkuar, pastaj e injektojmë dhe ulemi në pritje të efektit, pastaj e bëjmë të duket sikur ishte duke iu afruar ujit dhe merr frymë ngadalë”.

Vdekje e ngadaltë

Morani kishte në mendje çështje të tjera logjistike. Çfarë do të bënin me trupin?

“A do ta bëjmë copash trupin”, thotë ai, para se të ndërpritej.

Newcomb thotë se ka plot opsione.

“Dua të them, edhe nëse duhet ‘pam-pam’, do ta bëjmë”, thotë ai, duke iu referuar vrasjes së Williamsit.

“Çfarëdo që të vendosnin”, thotë Morgan, do ta bënin për të mbrojtur veten. Do të sillnin mburoja të fytyrës dhe xhaketa për të mbrojtur lëkurën e tyre në rast se gjërat do të përkeqësoheshin.

Pas hyrjes së tij në klan, FBI-ja e autorizoi Mooren që të niste incizimin e liderëve kryesorë të grupit. Fillimisht ata nuk e dinin se klani përfshinte anëtarë aktivë të forcave të rendit.

Pasi liderët e grupit i treguan Moore-it për planin e vrasjes, FBI-ja zgjeroi rrjetin e njerëzve që mund t’i incizonte ai. FBI-ja e pajisi xhipin e Mooret-it me mjete incizimi të cilat i transmetonin bisedat direkt te agjentët teksa ata shkonin drejt Palatkas.

FBI-ja gjithashtu bëri disa lëvizje për ta mbajtur të sigurt Williamsin. E mbajtën në shtëpi të sigurt. Përreth lagjes së tij kishte automjete policie, prandaj kur arritën anëtarët e klanit, agjentët e FBI-së dhe policët e Floridës vëreheshin ashiqare.

Kur klani arriti në lagjen e Williamsit, automjetet e shumta të policisë i shqetësuan. “Nuk mund të sillemi shumë me atë të ulur atje”, thotë Newcomb, që shikonte një automjet policie.

Incizimet e fshehta

Moore do ta luante të qetin kur ktheu automjetin kah shtëpia e Newbombit. “E urrej që sot nuk e arritëm qëllimin tonë”, thotë Newcomb. “Do ta kapim atë peshk”, e siguroi Morani.

Më vonë, Moore i telefonoi kontaktit të tij në FBI dhe me një frymë i tregoi ato që kishte incizuar. “Ai i mbushi dy shiringa me insulinë dhe ishte gati ta kidnaponte”, thotë ai. “Janë krejt në incizime”.

Williamsi u shtri në dyshemenë e shtëpisë së nënës. Pretendoi se ishte i vdekur. Një ditë më parë kishte marrë një telefonatë të çuditshme nga zyrtari i provave. I kishte kërkuar që të nesërmen të shkonte në zyrë.

Williamsi ishte i habitur. Gjithsesi se do të takohej me të atë ditë dhe nuk kishte qenë në probleme në orët e fundit.

I tregoi nënës për telefonatën. Ajo i tha të shkonte.

“Nëse nuk ke bërë asgjë gabim, shko dhe fol me të”, i kishte thënë ajo.

Kur arriti në vendtakimin misterioz, pa fytyra të panjohura në dhomë. Ishin hetues federalë kundër terrorizmit. I thanë se jetën e kishte në rrezik. Do t’i duhej të shkonte në kujdestari mbrojtëse. Por së pari donin të shkonin në shtëpinë e tij dhe t’ia bënin një fotografi.

Gjatë rrugës, Williamsi e pa nënën e tij, Latonya Crowley në një veturë teksa po shkonte në qytet për fundjavë. Agjentët ia bënë me dorë dhe ajo ktheu kokën. Automjeti i tyre i zi u nis drejt shtëpisë së saj.

Brenda, agjentët i hodhën ujë pantallonave të Williamsit. Ia shqyen bluzën që të dukej se ishte vrarë. Kur e përfunduan punën, FBI-ja e vendosi Williamsin në shtëpinë e sigurt. As nëna nuk e dinte vendndodhjen e tij. Ata flisnin në telefon deri në arrestimin e burrave që donin ta vrisnin.

Mashtrimi i klanit

Pak javë më vonë, Moore priti për “Shoferin” në një parking të Starbucks. Veçse ia kishte treguar fotografinë e vrasjes së shpikur të Williamsit të shtrirë përtokë. E incizoi përgjigjen gazmore të tij. Një ditë më parë, kishte vepruar njëjtë me Newcombin që i tha Mooret “punë e paqme” dhe e përqafoi.

Puna e shoferit ishte angazhimi i tij i fundit. Në muhabetin e fundit për Williamsin, “Shoferi” kishte thënë se po t’i vinte shansi do t’ia mbyllte laringun Williamsit. Moore kishte thënë se ose ai ose dikush tjetër i kontraktuar do ta përfundonte punën.

E përshëndetën njëri-tjetrin dhe Moore i tha “Shoferit” që të hynte në automjetin e tij.

“E dimë se sa emocionuese ishte kjo për ty dhe menduam nëse do të doje një mbyllje”.

Moore ia dha telefonin “Shoferit” me fotografinë e Williamsit që dukej i vdekur.

“Na trego se çfarë mendon”, thotë Moore.

“Kjo bën”, u përgjigj shkurt “Shoferi”. “Po që bën”, thotë ai i qetësuar pas pamjeve.

Sarge Moran ishte në shtëpi kur një koleg i burgut e telefonoi për t’i kërkuar që të vinte në ditën e pushimit që t’i merrte uniformat e reja. Autoritetet e arrestuan me të mbërritur në burg dhe tani po qëndron aty ku kishte kaluar dekada të tëra si roje.

“Shoferi” dhe Newcomb u arrestuan në shtëpitë e tyre.

Në gushtin e 2017-s, Newcomb dhe Moran dolën para Gjykatës së Qarkut Columbia në Lake City. Joseph Moore ishte dëshmitari kryesor, duke dëshmuar kundër burrave me të cilët kishte kaluar vite miqësie. Për njëfarë kohe qeveria mbrojti familjen e Moores; vendndodhja e tij aktuale nuk dihet.

Në fund, juria i dënoi Moranin dhe Newcombin për komplot të vrasjes. Secili u dënua me nga 12 vjet burgim. Shoferi mori katër vjet pasi u deklarua fajtor dhe do të lirohet sivjet.

Për shkak të kërcënimeve në burgjet e Floridës, “Shoferi” u zhvendos fshehurazi në një shtet tjetër për kohën e mbetur të burgimit. Edhe pse ata janë në burg, as Newcomb e as Moran nuk ishin në sistemin e gjetjes së të burgosurve në Florida dhe nuk është siguruar ndonjë koment nga ana e tyre.

Edhe pse tri roja në Florida u ekspozuan si pjesë të klanit, Departamenti i Shërbimit Korrektues thotë se nuk gjeti asnjë arsye për të hetuar nëse supremacistët e tjerë të bardhë ishin punësuar në burgje.

“Nuk kishte pista të tjera të hetimit”, thotë Michelle Glady, drejtoreshë e marrëdhënieve me publikun në Departamentin e Shërbimit Korrektues të SHBA-së. “Sidoqoftë, çdo pretendim i anëtarëve të stafit që i përket klanit të përmendur, do të hetohej në baza individuale”.

Ata që bëjnë shkelje të qëllimshme të vlerave thelbësore të departamentit mund të pushohen nga puna ose edhe arrestohen.

Në një vizitë të fundit në burgun ku kanë punuar tre anëtarët e klanit, numër i madh i automjeteve të punëtorëve dhe vullnetarëve ishin të ngjyrosura me simbole të supremacisë së bardhë: flamuj të Konfederatës, simbole të QAnon dhe mbishkrime të flamujve të Thin Blue Line.

Jeta në frikë

Williamsi dhe familja e tij sot jetojnë në pasiguri dhe paranojë.

“Frika ime? Ndoshta janë anëtarët tjerë të klanit që mund të sorollaten dhe të tentojnë të na lëndojnë”, thotë Latonya Crowley, nëna e Williamsit.

Kur mendon për të kaluarën, Crowleyt i kujtohen rrethanat e çuditshme që ndodhnin rreth shtëpisë para se të përfshihej FBI-ja.

Image
Latonya Crowley, nëna e Warren Willimsit, në Palatka të Floridas gjatë prillit të 2021-s

Në një rast, një fqinj u kishte thënë se ka parë dy burra të racës së bardhë – dukeshin si policë - në oborrin e Crowleyt gjatë mëngjesit. “Asnjë polic nuk erdhi në shtëpinë time”, kujton Crowley.

Një qese plot me shiringa të insulinës – sepse është me diabet – ishte zhdukur. Ajo mendon se ndoshta kjo është arsyeja përse Newcomb mendonte ta përdorte insulinën.

Mirëpo Williamsi dhe Crowley janë mirënjohës. FBI-ja ua shpëtoi jetën dhe shteti i Floridës i dënoi burrat që i kërcënuan.

Williamsi ka ngritur padi ndaj anëtarëve të klanit dhe Departamentit të Burgjeve të Floridës.

Avokati i Williamsit është i pakënaqur që Florida nuk ka hetuar më me kujdes për të parë nëse ka më shumë supremacistë të bardhë në mesin e punonjësve të burgjeve dhe dëshiron që Florida të marrë përgjegjësinë. Shteti ka kërkuar që rasti të pushohet dhe nuk pranoi komente shtesë.

Williamsin e shqetëson lirimi i “Shoferit” nga burgu dhe e kaluara e klanit ia ka bërë të pamundur që të vazhdojë jetën.

“Në atë gjendje shpirtërore në të cilën është sot, nuk mendoj se mund të përmirësohet”, thotë Crowley.

Përktheu: Gent Mehmeti