Botë

Presidenti tunizian zbaton orën policore njëmujore pas puçit

Presidenti tunizian, Kais Saed, ka shpallur orë policore njëmujore derisa po mundohet që të marrë krejt kontrollin e vendit në duar të veta, vetëm një ditë pas shkarkimit të kryeministrit dhe ngrirjes së aktiviteteve parlamentare.

Tunizianët nga e marta mbrëma do të përballen me kufizime të ashpra, përfshirë edhe ndalimin e tubimeve të më shumë se tre personave në hapësira publike. Kufizimet, të shpallura nëpërmjet një urdhri presidencial, ua ndalojnë qytetarëve lëvizjen ndërmjet qyteteve prej orës shtatë të mbrëmjes deri në gjashtë të mëngjesit, pos për nevoja të domosdoshme ose për shkaqe urgjente shëndetësore.

Presidenti Saed e shkarkoi të hënën kryeministrin Hiqem Meçiqi, duke paralajmëruar se kompetencat kryeministrore do t’i dorëzohen një personi të zgjedhur prej tij. Saed, politikan i pavarur pa parti politike prapa vetes, ka shfrytëzuar kompetencat kushtetuese të dielën mbrëma për ta shkarkuar Meçiqin dhe ka paralajmëruar se kundërshtimi i vendimeve të tij do të shtypet me forcë.