Botë

Presidenti Lukashenko premton shtypjen e shoqërisë civile dhe gazetarëve

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka premtuar se do të vazhdojë shtypjen e shoqërisë civile dhe gazetarët, të cilët i ka quajtur “banditë dhe agjentë të huaj”.

Presidenti bjellorus i ka kritikuar zyrtarët e administratës së tij, që lejuan punën e organizatave joqeveritare, që sipas tij, e kanë dëmtuar shtetin. Regjimi bjellorus ka bastisur dhe arrestuar gazetarët e pavarur dhe aktivistët e shoqërisë civile.

Qendra për të drejtat e njeriut “Viasna”, ka bërë të ditur se agjencitë shtetërore më shumë se 200 herë kanë bastisur zyrat dhe shtëpitë e gazetarëve. Kjo qendër ka konfirmuar arrestimin e 11 aktivistëve gjatë së enjtes.

Që prej gushtit të vitit të kaluar, kur nisën protestat kundër presidentit Lukashenko, regjimi i tij ka mbajtur në paraburgim 31 gazetarë. Të mërkurën, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga gjykata e lartë që të mbyllë Asociacionin e Gazetarëve në lidhje me publikimin e dokumenteve të ndjeshme.

Ndërkaq të enjten, Ministria ka kërkuar nga gjykata edhe mbylljen e Qendrës Pen, Asociacion i shkrimtarëve që drejtohet nga Svetlana Alexievich, fituese e Çmimit “Nobel” për Letërsi në vitin 2015.