Botë

Çifti australian dënohet me burgim për skllavërimin e një gruaje

Një grua që nuk ka shfaqur pendim apo keqardhje për mbajtjen e një gruaje tjetër si skllave për tetë vjet në Melbourne, është dënuar me aq vite burgim.

Kumuthini Kannan u pa si më fajtore moralisht se bashkëshorti i saj, Kandasamy Kannan, i cili në gjykatë u përshkruar si i ndjeshëm ndaj dominimit nga gruaja e tij dhe për karakter të dobët.

Çifti u dënua për skllavërimin e një gruaje nga India në shtëpinë e tyre nga viti 2007 deri më 2015.

“Askush nuk ka shprehur ndonjë ndjenjë pendimi apo keqardhje – është jonjerëzore”, ka thënë gjykatësi John Champion, raporton The Guardian.

Viktima pati ardhur në Australi dy herë për të jetuar me Kannanët në 2002 dhe 2004, para se të kthehej sërish më 2007. Gruaja kishte lënë shkollën para se të kryente vitin e parë të edukimit, qysh 6-vjeç. Ajo punoi në fusha nga mosha 12-vjeç dhe më pas lëvizi drejt gatimit.

Ajo u martua dhe ka katër fëmijë, por mbeti e ve. Jeta e saj në Indi dominohej nga vështirësitë financiare. Pavarësisht lutjeve të panumërta që ta lejonin t’i kthehej familjes, gruaja u detyrua nga viti 2007 të punojë deri në 23 orë në ditë duke u kujdesur për fëmijët e çiftit, gatimin, pastrimin dhe kryerjen e punëve të tjera. Asaj iu hodh çaj dhe ushqim përmbi, u rrah me një pulë të ngrirë. U pagua me rreth 3.36 dollarë në ditë.

Gruaja e cila tash është 60-vjeçare, u dërgua në spital me një autoambulancë në korrik të vitit 2015 pasi u alivanos. Ajo ishte e dobët dhe po vuante nga sëmundje të cilat nuk mundi t’i trajtonte deri atëherë.