Botë

Shkon në mbi 150 numri i të vdekurve nga përmbytjet në Evropë

Numri i të vdekurve nga përmbytja katastrofike në Evropën perëndimore ka shkuar në mbi 150 të shtunën, ndërsa ekipet e shpëtimit po mundohen të parandalojnë dëmtimet e mëtejshme.

Policia ka thënë se më shumë se 90 njerëz dihet se kanë vdekur në rajonin Ahrweiler të Gjermanisë perëndimore, një nga zonat më të goditura dhe frikësohen për më shumë viktima. Të premten, autoritetet dhanë një numër vdekjesh prej 63 në Rheinland-Pfalz, ku ndodhet Ahrweiler.

43 persona të tjerë u konfirmuan të vdekur në rajonin fqinj, Rhine-Westphalia, më i populluari i Gjermanisë.

Transmetuesi belg RTBF njoftoi se numri i të vdekurve në Belgjikë u rrit në 27 të shtunën.

Deri të shtunën, ujërat kanë filluar të tërhiqen në pjesën më të madhe të rajoneve të prekura, por zyrtarët kanë frikë se mund të gjenden më shumë trupa në makina dhe kamionë që u morën me vete nga ujërat e rrëmbyeshëm, transmeton AP.

Përveç Gjermanisë dhe Belgjikës si më të goditura, pjesë jugore të Holandës gjithashtu janë goditur nga përmbytje të mëdha. Dhe shiu i madh në Zvicër ka bërë që disa lumenj dhe liqene të shpërthejnë nga brigjet e tyre, ku autoritetet në qytetin e Lucernit mbyllën disa ura këmbësorësh mbi lumin Reuss.