Botë

Italia shpreson në vaksinën e saj anti-Covid, faza e dytë dëshmoi efikasitet të lartë

Descriptive Text

Në Itali shpresojnë se shpejt do të prodhojnë vaksinën e tyre kundër koronavirusit.

Faza e dytë e testimit e vaksinës së zhvilluar nga kompania ReiThera ka dëshmuar se ajo krijon imunitet të madh.

Siç kanë raportuar nga kjo kompani, vaksina e emërtuar GRAd-COV2 krijon antitrupa te 93 për qind e personave pas dozës së parë, e deri në 99 për qind pas dozës së dytë.

Për t’u kryer faza e tretë e testimit duhen 60 milionë euro. Testimi është vështirësuar në maj, kur me vendim të gjykatës është ndaluar ndihma financiare e shtetit për këtë kompani.

Nga ReiThera thonë se tashmë kanë diskutuar me BE-në për mundësinë e furnizimit me vaksina.

Drejtori i ReiThera, Roberto Camerini, ka thënë se vaksina e kompanisë që drejton, ka treguar siguri dhe se krijon imunitet të madh. Ai shpreson që kompania të jetë në gjendje të kryejë edhe fazën e tretë të testimit.

Faza e dytë e testimit të kësaj vaksine është kryer në 24 qendra klinike italiane te 917 persona më të vjetër se 18 vjeç. Mes 917 personave, 25 për qind ishin mbi moshën 65 vjeç.

Me rastin e vaksinimit janë shfaqur simptoma të zakonshme, si dhimbje të muskujve dhe të kokës. \ Reuters