Botë

Puna e mjekëve indianë për t'i vaksinuar ngurruesit

Në pjesët e thella të rajonit të Himalajës në Kashmirin që kontrollohet nga India, vaksinimi kundër COVID-19 nuk është punë e lehtë. Shumë prej fiseve nomade që zhvendosen çdo stinë, në kërkim të hapësirave të gjelbra, po ngurrojnë që të imunizohen.

Madje edhe ata që duan ta marrin e kanë të vështirë që ta gjejnë një qendër vaksinimi në afërsi, ngase jetojnë në zona shumë të izoluara.

Jalal-ud-Din thotë se u është mirënjohës ekipeve shëndetësore që kanë udhëtuar në kampin e tij në Tosa Maidan.

“Jemi gjithmonë në lëvizje nga një vend në tjetrin, në kërkim të tokave kullotëse për bagëtitë tona. E kam marrë dozën e parë të vaksinës. U jam mirënjohës mjekëve që erdhën këtu dhe e mora dozën e dytë”.

Mjeku Tajamul Hussain Khan, shef mjekësor në Qarkun e Budgamit, ka kaluar orë të tëra duke folur me pjesëtarët e komunitetit nomad, duke u munduar që t’i bindin për ta marrë vaksinën.

Por kjo nuk është punë e lehtë.

“Ka qenë shumë e vështirë që t’i bindim njerëzit për ta kuptuar rëndësinë dhe përfitimet e vaksinës, por po bëjmë çmos. Po shkojmë te nomadët, deri te kampet e tyre. Po mundohemi që t’i bindim njerëzit e fiseve se vaksina ka përfitime dhe po mundohemi t’i motivojmë njerëzit dhe t’i vaksinojmë, posaçërisht ata mbi 45 vjeç, sikurse edhe 18 deri 44-vjecarët”.

Të ndikuar nga dezinformatat dhe mosbesimi, shumë banorë, veçmas ata që jetojnë në zona të thella rurale, besojnë se vaksinat shkaktojnë impotencë, efekte të mëdha anësore, madje edhe të shkaktojnë vdekje.

Disa thonë se thjesht nuk kanë nevojë për vaksina, pasi që janë imunë ndaj koronavirusit.

14 milionë njerëz në Kashmirin e kontrolluar nga India kanë të drejtë që ta marrin vaksinën. Nëntë për qind e tyre janë vaksinuar deri më tani, sipas të dhënave të Qeverisë indiane.

Në tërë vendin, vetëm 5 për qind e popullsisë prej 1.4 miliardë banorësh janë vaksinuar deri më tani.

Për shkak të konfliktit disavjeçar shumë njerëz në rajon nuk i zënë besë Indisë dhe kërkojnë pavarësi, ose të bashkohen me Pakistanin fqinj.

Pakistani kontrollon pjesën tjetër të Kashmirit dhe të dyja vendet pretendojnë se territori u takon atyre.